Një mosmarrëveshje rreth një investimi në Forex dhe një borxhi të pretenduar prej 15 mijë eurosh ka përfunduar me sulm fizik dhe ndërhyrjen e Policisë në Prishtinë, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se e dyshuara është Krenare Ramadani, rreth 32-vjeçare, ndërsa në rast është përfshirë Drilon Dermaku, rreth 33-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës , në rrugën “Agron Berisha” në Prishtinë. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Dermaku ka deklaruar në Polici se mes tij dhe Ramadanit kishte nisur një bisedë lidhur me një investim që kishin bërë në Forex, e cila më pas kishte eskaluar në konflikt.
Ai ka deklaruar se gjatë mosmarrëveshjes, Ramadani dyshohet se ka filluar ta godiste në fytyrë dhe në trup me çelësa të veturës, duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas intervenimit të Policisë, të dy janë shoqëruar në stacion, ndërsa Dermaku fillimisht ka marrë trajtim mjekësor.
Në anën tjetër, gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, Ramadani ka pranuar se e kishte goditur, por ka dhënë edhe versionin e saj për motivin e konfliktit. Sipas saj, përplasja lidhej me një borxh prej rreth 15 mijë eurosh, të cilin pretendon se Dermaku ia kishte.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili e ka cilësuar atë si “Lëndim i lehtë trupor” dhe ka urdhëruar që Krenare Ramadani të ndalohet për 48 orë. Rasti po procedohet nga organet kompetente.
Ekskluzive | Rrahje për investimin në Forex dhe 15 mijë euro në Prishtinë – 32-vjeçarja e godet me çelësa të veturës, përfundon në ndalim Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
