Skuadra e Arsimit nga Çegrani i fitoi tri pikët e para të sezonit, pasi pak më parë, në shtëpi në Gostivar, e mposhti Bashkimin me rezultat minimal, por plotësisht të merituar, 1:0. Shënues i golit të vetëm të kësaj ndeshjeje ishte rezervisti Contreras, i cili në minutën e 82-të u shkëput shumë mirë në krahun e majtë dhe goditi në portën e skuadrës nga Kumanova.
Në këtë aksion, asistim të shkëlqyer dha futbollisti Mateo Sofijanovski. Edhe në pjesën e parë, vendasit patën disa raste për të shënuar, ndërsa në njërin prej tyre goditën edhe shtyllën/traversën e portës së Bashkimit.
Nga ana tjetër, mysafirët shpresonin të merrnin të paktën një barazim dhe ishin shumë pranë realizimit të tij, por në fund nuk arritën ta përballonin presionin pa pësuar gol. Java e tretë e kampionatit maqedonas vazhdon nesër me ndeshjet Sileksi – Skopje dhe Tikveshi – Shkëndija e Haraçinës.
