KfW paralajmëron ndërprerjen e mbështetjes për Termokosin, liston

0%

Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) ka ngritur disa shqetësime lidhur me gjendjen teknike dhe funksionimin e rrjetit të ngrohjes qendrore të Termokosit, duke paralajmëruar se problemet e evidentuara mund të rrezikojnë asetet e ndërmarrjes dhe vazhdimin e mbështetjes së saj për Termokosin.

Në një letër drejtuar Bordit të Drejtorëve të Termokosit, të cilën e ka siguruar redaksia e KALLXO.com, KfW kërkon ndërhyrje të menjëhershme për një sërë çështjesh që, sipas saj, paraqesin rrezik të konsiderueshëm për rrjetin e ngrohjes dhe besueshmërinë e funksionimit të tij.

Një nga çështjet kryesore të ngritura në letër është impianti i degazifikimit, i cili është instaluar dhe financuar në kuadër të një projekti të mëhershëm me Termokosin. Sipas KfW-së, ajo është informuar nga Konsulenti i Implementimit se ky impiant nuk është funksional.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

KfW e konsideron këtë problem “jashtëzakonisht kritik” nga aspekti teknik dhe ekonomik, për shkak të rrezikut të korrozionit dhe dëmtimit të rrjetit të ngrohjes.

“Vazhdimi i operimit të rrjetit në kushtet aktuale është i papranueshëm dhe tejet i papërgjegjshëm”- thuhet në letrën drejtuar Bordit të Termokosit, duke iu referuar vlerësimit të Konsulentit të Implementimit dhe inxhinierit të lartë të KfW-së.

KfW thotë se Kontraktori ka refuzuar të përfundojë punët e mbetura, ndërkohë që është lëshuar Certifikata e Performancës dhe është mbajtur shuma e garancisë. Sipas letrës, Termokosi nuk e ka përfshirë shumën e mbetur në buxhetin vjetor, pavarësisht detyrimit kontraktual për të siguruar financimin e plotë.

Për këtë arsye, KfW i kërkon Bordit të Drejtorëve të sigurojë që Termokosi të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për prokurimin, kontraktimin dhe financimin e punëve për sanimin e problemit, në mënyrë që impianti të riparohet ose, nëse është e nevojshme, të zëvendësohet para fillimit të sezonit të ardhshëm të ngrohjes.

“159 nënstacione pa kontroll automatik” Një tjetër çështje e ngritur nga KfW lidhet me nënstacionet e ngrohjes në rrjetin e Termokosit. Në letër thuhet se janë identifikuar gjithsej 159 nënstacione që funksionojnë pa kontroll automatik.

KfW vlerëson se kjo situatë mund të jetë në kundërshtim me fushëveprimin e projekteve të mëparshme të financuara nga Bashkëpunimi Financiar Gjerman dhe Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilave, sipas saj, të gjitha nënstacionet ekzistuese duhej të ishin pajisur me kontroll automatik.

Sipas KfW-së, funksionimi pa kontroll automatik mund të shkaktojë çekuilibrime në sistem, rrjedhje të tepërta, mbingarkesë të gypave dhe pompave, rritje të temperaturave të kthimit, përdorim joefikas të kapaciteteve të prodhimit dhe shpërndarjes, si dhe probleme hidraulike. Këto probleme, sipas saj, mund të ndikojnë përfundimisht në furnizimin me ngrohje të zonave të prekura.

Shqetësim i veçantë për KfW-në paraqet fakti se një numër i konsiderueshëm i këtyre nënstacioneve dyshohet se u përkasin konsumatorëve të panjohur, të cilët nuk janë të regjistruar në bazën e të dhënave GIS të Termokosit. KfW thotë se këto nënstacione nuk kanë qenë pjesë e projektit të mëparshëm të realizuar me Termokosin.

Në letër përmendet edhe Marrëveshja e Veçantë e , e lidhur ndërmjet Termokosit, Komunës së Prishtinës dhe KfW-së për projektin e Ngrohjes Diellore Qendrore. KfW thekson se, në bazë të kësaj marrëveshjeje, çdo zgjerim i rrjetit të ngrohjes qendrore duhet të bëhet në përputhje me Planin Master dhe pas marrjes së miratimit paraprak me shkrim nga KfW.

Sipas bankës, një miratim i tillë nuk është marrë, për çka aktualisht nuk është në gjendje të vlerësojë nëse zgjerimet e kryera janë në përputhje me Planin Master apo nëse ka pasur shkelje kontraktuale. KfW kërkon që të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës nga Konsulenti i Implementimit dhe të përgatitet një propozim për integrimin e rregullt të këtyre nënstacioneve.

Megjithatë, në letër sqarohet se një vlerësim i tillë nuk është pjesë e kontratës aktuale të konsulencës dhe do të duhej të kontraktohej si shërbim shtesë. Po ashtu, KfW kërkon nga Termokosi një shpjegim me shkrim për shkaqet që kanë çuar në situatën aktuale, si dhe zotim për t’i dhënë prioritet zbatimit të propozimit të Konsulentit.

Në rrezik edhe projekti i ngrohjes diellore KfW ka ngritur shqetësime edhe për vazhdimin e Projektit të Ngrohjes Diellore Qendrore. Sipas saj, blerja ose shpronësimi i tokës dhe pajisja me lejet e nevojshme ende nuk janë zgjidhur, për shkak të progresit të kufizuar në zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Obiliqit.

KfW paralajmëron se vonesat e mëtejshme në këtë çështje mund ta vënë seriozisht në rrezik vazhdimin e projektit. Në të njëjtën letër përmenden edhe vonesat në miratimin e Aditamentit të Shërbimeve të Konsulencës, i cili, sipas KfW-së, ka mbetur në pritje për pothuajse gjysmë viti.

“Në fund, dëshirojmë t’ju tërheqim vëmendjen se, duke marrë parasysh rreziqet e konsiderueshme teknike dhe reputacionale që burojnë nga çështjet kritike të përmendura më sipër, KfW-ja rezervon shprehimisht të drejtën për të rishikuar dhe, nëse është e nevojshme, për të ndërprerë mbështetjen e saj në vazhdim për Termokosin”- thuhet ndër të tjera në letër.

KALLXO.com i është drejtuar KfW-së me kërkesë që kjo letër t’i përcillet zyrtarisht redaksisë, si dhe ka kërkuar sqarime lidhur me shqetësimet e ngritura dhe paralajmërimin për mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes. Deri në publikimin e këtij artikulli, KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje.

Gjithashtu, KALLXO.com i është drejtuar për sqarime edhe ndërmarrjes Termokos, lidhur me shqetësimet e ngritura nga KfW por deri në publikimin e këtij artikulli, Termokosi nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, në një komunikatë për media të datës , Termokosi thotë se çështjet e ngritura nga partnerët financiarë dhe konsulentët e projektit janë trajtuar dhe se janë ndërmarrë veprime konkrete për adresimin e tyre.

Sa i përket impiantit të degazifikimit, për të cilin KfW kishte kërkuar ndërhyrje urgjente, Termokosi thotë se ka bërë rialokime në kuadër të buxhetit të ndërmarrjes për trajtimin e këtij impianti.

Ndërsa lidhur me çështjen e kontratës për shërbimet e konsulencës, ndër të tjera, Termokosi thotë se Bordi i Drejtorëve e ka trajtuar me prioritet ndryshimin e nevojshëm të kontratës dhe ka kërkuar që kjo çështje të adresohet pa vonesa. Megjithatë, Termokosi e kundërshton vlerësimin se problemet e ngritura paraqesin rrezik për funksionimin e sistemit të ngrohjes qendrore.

Sipas ndërmarrjes, asnjëra prej çështjeve të ngritura nuk ndikon apo cenon funksionimin e sistemit. Më , KALLXO.com kishte raportuar se është shkarkuar bordi i Temokosit dhe është emëruar bordi i ri derisa ekipi i KALLXO.com nuk ishte lejuar ta monitorojë mbledhjen e aksionarëve të Termokosit ku ishte trajtuar kjo çështje.

Burimi: Kallxo