Dogana e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve operative dhe kontrolleve ndaj subjekteve tregtare, kanë realizuar kontrolle në tri lokale, ku kanë ndaluar gjithsej 23,918 artikuj të ndryshëm.
Mallrat e ndaluara përfshijnë: 16,394 mbrojtëse për telefona mobilë; kufje të modeleve AirPods dhe AirPods Max; kabllo USB-C dhe Lightning; adapterë dhe pajisje për mbushje; orë inteligjente; pajisje AirTag; lapsa elektronikë; tastiera dhe aksesorë të tjerë elektronikë; bateri për telefona mobilë.
Në mallrat e ndaluara janë evidentuar shenja të markave të njohura tregtare, përfshirë Apple, Louis Vuitton, Prada, Gucci dhe Guess. Sipas rezultateve të evidentuara, në lokalin e parë janë ndaluar 22,391 artikuj, në lokalin e dytë 477 artikuj, ndërsa në lokalin e tretë 1,050 artikuj.
Dy nga subjektet e kontrolluara janë referuar për trajtim të mëtejmë në Sektorin për Kundërvajtje Doganore. Ndërkaq, lidhur me subjektin e tretë, për shkak të sasisë dhe vlerës së lartë të mallrave të ndaluara, është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndërsa rasti do të trajtohet në përputhje me udhëzimet e saj.
Të gjitha mallrat janë vendosur nën mbikëqyrje doganore dhe do t’u nënshtrohen procedurave përkatëse për verifikimin e dokumentacionit, prejardhjes së tyre dhe respektimit të legjislacionit doganor dhe të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe parandalimin e qarkullimit të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe interesat e konsumatorëve
