Përfundon faza e parë e seleksionimit në Akademinë e Portierëve

0%

Përmbyllet faza e parë e seleksionimit në kuadër të projektit të Akademisë së Portierëve, i cili po zhvillohet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Gjatë katër ditëve të punës, në këtë proces kanë marrë pjesë mbi 100 portierë dhe portiere të gjeneratave 2011 dhe 2012, të përzgjedhur nga shtatë regjionet e Kosovës.

Kjo fazë i është kushtuar vëzhgimit dhe vlerësimit, teksa tani stafi i trajnerëve do të bëjë analizën dhe përzgjedhjen e portierëve që do të vazhdojnë në fazën e dytë të punës. Në këtë fazë do të vijojë një proces më i detajuar i vlerësimit, përmes të cilit do të përcaktohen portierët që do të jenë pjesë e Akademisë dhe me të cilët FFK do të punojë në vazhdimësi.

Përmes këtij programi synohet të krijohet një proces i qëndrueshëm i zhvillimit të portierëve të rinj, duke ndërtuar një bazë sa më të gjerë të talenteve për ekipet zinxhir të Kombëtares. Projekti i Akademisë së Portierëve zhvillohet në kuadër të Departamentit të Edukimit të FFK-së dhe mbikëqyret nga Samir Ujkani, ish-portier i Kombëtares dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në realizimin e programit janë të angazhuar trajnerët Valmir Bytyqi, Flamur Neziri, Artan Sadriu dhe Diellza Musa.

Burimi: Bota Sot