Prishtina tregonte lojën e saj në stinorin pranveror, në katër ndeshjet e para kishte arritur një barazim në Beograd me Cërvena Zvezdën me rezultat 0:0, pastaj në Prishtinë demoloi Sutjeskën me 3:0 dhe në Shkup pësoi humbje me 2:0 në duel me Vardarin.
Në përballjen e 15 marsit të vitit 1987, Prishtina para më së 20 mijë shikuesve, i shkaktoi humbje me rezultat 1:0 Radniçkit të Nishit, në takimin e javës së 21-të të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë. Futbollisti Nazmi Rama tregoi lojën e tij, madje e nxori penalltinw, ku u ndal nga tre mbrojtësit e skuadrës rivale.
Futbollisti Dragisha Biniq me Radniçkin u kthyen kokulur nga kryeqyteti i Kosovës. Prishtina renditej në vend të 11-të me 16 pikë, ndërsa Radniçki në të 10-tin me 17. “Ashtu si zhvillohej ndeshja, dukej qartazi se vështirë do të shohim ndonjë përpëlitje të topit në rrjetë. Mirëpo, në minutën e 23-të, stadiumi buçiti dy herë radhazi.
Herën e parë pasi referi akordoi penallti (mysafirët e rrëzuan Nazmi Ramën), kurse një çast më vonë, kur Batroviqi nga pika e 11-metërshit shënoi golin e tij të parë kampional prej se u kthye nga shërbimi ushtarak. Në fund doli se ky ishte goli i fitores”, ka raportuar mes të tjera gazeta “Rilindja” më 16 mars të vitit 1987. Prishtina – Radniçki 1:0 Stadiumi i qytetit në Prishtinë.
Realizator: Batroviq, në minutën e 23-të (nga penalltia). Para afro 20.000 shikuesve ndeshjen e drejtoi Stevan Radoviqi i Beogradit, me ndihmën e Ballzhо Zuberit (Baçka – Topola) dhe të Davor Zekanit (Split). Me karton të verdhë u ndëshkuan: Xh. Muriqi (Pr) dhe Vojnoviq e Mitiq (Ra). Moti i ftohtë, terreni i përshtatshëm për lojë.
Prishtina: Shukri Paçarada 7, Xhevdet Muriqi 6, Arbnor Morina 6, Abdyl Bellopoja 6, Skënder Shengyli 6, Muhamed Kolenoviq 8, Vlladisllav Gjukiq 7, Kujtim Shala 6 (Gani Llapashtica), Zoran Batroviq 6, Nazmi Rama 7 dhe Miodrag Çirkoviq 6 (Muharrem Sahiti 6).
Radniçki: Pejiq 7, Mitroviq 6, Vasileviq 6, Mitiq 6 (Gogiç), Bankoviq 7, Vojnoviq 6, Biniq 7, Punishiq 6, Kitanovski 6, Nikoliq 6 dhe Aleksiq 6.
