Kristjan Asllani po kalon ndoshta vitet më të vështira të karrierës së tij, që kur shpërtheu në skenat e rëndësishme të futbollit italian dhe ndërkombëtar. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka dalë plotësisht jashtë planeve të Interit që po mundohet t’i gjejë një sistemim pas eksperiencave aspak bindëse te Torino dhe Beshiktash në sezonin e kaluar.
Situata është e tillë sa në mediat italiane raportohet se tashmë Asllani pranon edhe huazimin për një tjetër edicion, gjë që një vit më parë nuk e kishte aspak në konsideratë. Problemi i futbollistit është se nuk janë të shumta skuadrat që janë gati të vendosin bast për të e aq më pak të blejnë lojtarin që vlerësohet rreth 10 milionë euro nga Interi.
Sipas mediave italiane, aktualisht klub i interesuar për të është vetëm Monza, pasi skuadra e sapokthyer në Serinë A synon të rindërtojë ekipin. Por nëse Asllani shkon atje, do të luftojë për mbijetesë dhe jo për objektiva prestigjioze, siç pretendonte deri pak kohë më parë futbollisti i kuqezinjve që kishte refuzuar disa oferta nga klube të mesit të tabelës në Itali.
Një ndryshim këndvështrimi që tashmë mund të jetë i detyruar ta bëjë për të ringjallur karrierën që ka marrë një kthesë aspak të këndshme.
