Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Sipas një njoftimi për media thuhet se hetimi në këtë rast është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme gjatë një periudhe disa mujore. “Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit.
Me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë,nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me standardet e drejtësisë penale.
