Arrestohet një gjyqtar i Gjykatës Themelore, dega në Lipjan, dyshohet

0%

Një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se i arrestuari, me inicialet A.G., është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Siç ka mësuar KALLXO.com, i arrestuari është Avdurrahman Gashi, kryetar i degës në Lipjan.

Arrestimi është bërë pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimit janë siguruar të dhëna dhe prova mbi bazën e të cilave është vlerësuar se ekziston dyshim i arsyeshëm për përfshirjen e gjyqtarit në veprën penale për të cilën është arrestuar.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare’”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

PSRK ka bërë të ditur se hetimet ndaj gjyqtarit janë zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për disa muaj. “Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”- thuhet më tej.

Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje se për çfarë veprimi konkret dyshohet gjyqtari, nëse rasti lidhet me ndonjë vendim gjyqësor apo me ndonjë çështje tjetër të trajtuar gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, detajet e tjera nuk mund të bëhen publike në këtë fazë, me arsyetimin e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë”- thuhet në njoftim. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë veprimet për luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Burimi: Kallxo