Reagimi i Policisë së Kosovës për dhëndrin e Hashim Thaçit: Arben

0%

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me pretendimet e Arben Visoqit, dhëndrit të ish-presidentit Hashim Thaçi, se është përjashtuar nga Policia dhe se ndaj tij po ushtrohet përndjekje politike e familjare.

Në një sqarim për media, Policia thotë se ndaj Arben Visoqit, për shkak të shkeljeve disiplinore, janë iniciuar gjithsej 15 raste nga koha e inkuadrimit të tij në polici deri në largimin nga detyra.

“Ndaj zyrtarit policor, për shkak të shkeljeve disiplinore, që nga inkuadrimi i tij në polici e deri në largimin e tij nga detyra, janë iniciuar 15 raste, ku prej tyre janë trajtuar 13 në nivel qendror dhe 2 në nivel rajonal, të cilat janë trajtuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur nga mekanizmat e brendshëm të Policisë së Kosovës.” – thuhet në reagimin e Policisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Policisë, tri nga këto raste kanë të bëjnë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, për të cilat janë shqiptuar gjithsej gjashtë masa disiplinore.

“Nga 15 raste të iniciuara, 3 prej tyre kanë pasur të bëjë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar 6 masa disiplinore, duke përfshirë edhe rastin e fundit në gusht 2026, Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës me vendim të PK-së.” Policia ka bërë të ditur edhe masat e shqiptuara në tri rastet që lidhen me aktivitetin e tij në rrjetet sociale.

“Ndalesë në pagë 30% për 2 muaj, e iniciuar në vitin 2016 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2016, ndalesë në pagë 30% për 6 muaj, e iniciuar në vitin 2025 dhe shqiptuar masa në vitin 2026 dhe ndërprerje e marrëdhënies së punës, e iniciuar në vitin 2026 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2026.” Institucioni thotë se vendimi për largimin nga puna është marrë pasi, sipas tij, zyrtari ka vazhduar me shkelje të njëjta dhe ka vepruar në kundërshtim me procedurat disiplinore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Sipas Policisë, rastet lidhen me dispozita që përfshijnë “sjelljen e rëndë diskredituese”, “mosbindjen e rëndë” dhe “shkeljen e rëndë të autorizimit”. “Zyrtari ka vazhduar me shkeljet e njëjta duke rënë në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore, Udhëzimin Administrativ me nr. 04/2019, për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës, Neni 20.

Sjellja e rëndë diskredituese, paragrafi 1, pika 1.14. Sillet në mënyrë të tillë duke dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj; Neni 21 Mosbindja e rëndë, paragrafi 1, nen. par. 1.13.

Me veprim apo mosveprim, nuk zbaton apo nënvlerëson urdhrat apo udhëzimet nga autoriteti i nivelit qendror; dhe Neni 24 Shkelja e rëndë e autorizimit paragrafi 1, nen. para. 1.17 Publikon, shfaq, shpërndan apo komenton postime, fotografi, video dhe incizime që dëmtojnë imazhin e Policisë.” – thuhet në sqarimin e Policisë.

Arben Visoqi ndërkaq, ka pretenduar se largimi i tij nga Policia e Kosovës është i motivuar politikisht dhe familjarisht. Policia, në sqarimin e saj, nuk i cilëson këto pretendime, por paraqet numrin e rasteve disiplinore dhe arsyetimin mbi të cilin thotë se është marrë vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Burimi: Kallxo