Gjirokastra po vazhdon të tërheqë vizitorë nga vende të ndryshme të botës, të cilët veçojnë historinë, arkitekturën, traditën dhe mikpritjen si disa prej elementeve që e bëjnë të veçantë “qytetin e gurtë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një video me përshtypjet e turistëve nga Australia, Suedia, Zelanda e Re, Belgjika, Holanda dhe vende të tjera për vizitat e tyre në Gjirokastër, transmeton KosovaPress. “Jam nga Australia dhe vendi im i preferuar në Gjirokastër është tuneli i Luftës së Ftohtë”, thotë një turist.
Ndwrkaq një vizitore nga Suedia veçon Muzeun Etnografik. “Më pëlqen vërtet shumë Muzeu Etnografik”, shprehet ajo. Pazari renditet po ashtu ndër vendet që kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj. “Është kaq multikulturor dhe mund të blesh shumë gjëra”, thotë një prej tyre, ndërsa një tjetër veçon kombinimin mes Kalasë dhe Pazarit të Ri.
Përshtypje te vizitorët ka lënë edhe Qyteti i Vjetër. “Pjesa ime e preferuar nga sot ishte Qyteti i Vjetër”, shprehet një turiste nga Zelanda e Re. Kështjella vlerësohet jo vetëm për historinë dhe arkitekturën, por edhe për panoramën që ofron.
Një vizitore thotë se i ka pëlqyer pamja e Gjirokastrës nga lart, ndërsa vajza e saj veçon “të gjitha armët e vjetra, topat, parzmoret dhe skulpturat”. Në mesin e atraksioneve të përmendura nga turistët është edhe Ura e Ali Pashës. “Vij nga Belgjika dhe ajo që më pëlqeu më shumë në Gjirokastër është ura, Ura e Ali Pashës”, thotë një vizitore.
Edhe Shtëpia e Zekatëve ka tërhequr vëmendjen e të huajve. “Është një shtëpi shumë e bukur, kaluam një orë këtu dhe thjesht… uau!”, shprehet një prej vizitoreve. Përveç trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës, turistët kanë folur edhe për përvojat gastronomike. Një vizitor nga Holanda veçon rakinë, duke bërë edhe shaka për konsumimin e saj.
“Një raki në ditë mban doktorin larg, kështu kam dëgjuar”, thotë ai. Në mesin e vizitorëve janë edhe shqiptarë nga Dibra dhe Kërçova. Një turist nga Zajazi i Kërçovës, i cili po e viziton Gjirokastrën për herë të tretë, thotë se ky është destinacioni i tij i preferuar.
“Gjirokastra ëshvendi të komplet i preferuar për mua”, shprehet ai, duke veçuar Kalanë, pamjet mbi luginën e Drinos dhe arkitekturën karakteristike. Përshtypjet e vizitorëve e paraqesin Gjirokastrën si një destinacion ku ndërthuren trashëgimia kulturore, historia, arkitektura, natyra dhe tradita.
