Pollozhani: Ne jemi të dëshpëruar pas eliminimit nga Hiberniani

0%

Shkëndija ka mbyllur rrugëtimin në garat evropiane në raundin e tretë eliminator të UEFA Conference League, pas barazimit pa gola (0:0) ndaj Hibernianit në Shkup. Pavarësisht dominimit, kontrollit të lojës dhe rasteve të krijuara veçanërisht në pjesën e dytë, mos-efikasiteti para portës vulosi fatin e kuqezinjve, me skuadrën skoceze që kalon tutje falë fitores 2:1 në ndeshjen e parë.

Pas përfundimit të takimit, trajneri Artim Pollozhani doli në konferencën zyrtare për shtyp. …rastet e humbura dhe eliminimi… Artim Pollozhani: “Kur përmend shanset, nuk jam dakord me ju që s’kishte shanse.

Para së gjithash ekipi prodhoi lojë të mirë, ekipi prodhoi raste, sidomos në pjesën e dytë sepse edhe plani ishte i tillë që ne në pjesën e dytë të avancojmë te pjesa e sulmit ose kjo e treta e sulmit, sepse kjo nuk ndodhte në pjesën e parë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Para së gjithash me futjen e Krasniqit sigurisht që ne fituam te ajo mbajtja e topit edhe te ajo thellësia pastaj, edhe krosimet u shtuan edhe nga lojtarët e tjerë. Mendoj që për dy ndeshje që kemi luajtur meritonim më shumë, për vetë faktin se jemi ndëshkuar me një gol në minutën e 90-të nga goditja standarde në Skoci.

Unë mendoj se çunat dhanë maksimumin edhe unë pas ndeshjes i përgëzova. Normalisht që nëse do realizohej një gol nga ato raste që kishim, praktikisht ndeshja mund të shkonte edhe në shtesë.” …mungesa e Marko Gjorgjievskit…

Artim Pollozhani: “Dje në stërvitjen e fundit, në minutat e fundit të stërvitjes na u lëndua sulmuesi Marko Gjorgjievski, që në mendimin tim na prishi jo pak planet e asaj që ne kishim për të bërë, sidomos ato minutat e fundit.

Por nuk kam çfarë të ankohem, mund t’i përgëzoj çunat sepse unë mendoj, edhe ne mendojmë, stafi mendon që kanë bërë një ndeshje të mirë, ose dy ndeshje të mira që nuk meritonim të eliminohemi, por që futbolli këtë e ka, është i bukur dhe ndonjëherë nuk të jep atë që meriton.” …fokusimi te kampionati vendor pas eliminimit…

Artim Pollozhani: “Sigurisht që ne jemi të dëshpëruar pas eliminimit nga Hiberniani. Sigurisht që do të ishte fantastike nëse ne kualifikoheshim për play-off. Ekipi është i gatshëm besoj, tani fokusi është me patjetër që të jetë kampionati, aty ku unë mendoj që do bëjmë mirë. Është normale që kampionati të çon atje ku ne mendojmë të shkojmë, e ajo është titulli kampion.

Pastaj në momentin që shpallesh kampion, patjetër që ke më shumë mundësi, në momentin që ti eliminohesh, vazhdon në Conference League edhe unë mendoj që rruga është më e lehtë.” …gjendja e fushës… Artim Pollozhani: “Terreni nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. Nuk e di arsyen, por që edhe dje në stërvitje ajo u vërejt.

Nuk e di arsyen pse nuk është ashtu, por nuk ishte në gjendje që të dy ekipet të tregojnë performancë të mirë. Arsyen nuk e di, por që ajo që dihet ishte që terreni nuk qe i mirë.”

Burimi: Bota Sot