38 vatra zjarri në Shqipëri, situatë e rënduar në Lurë, Priskë e

0%

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë problematike në disa qarqe, ku sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri. Aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll. Forcat në terren po punojnë për izolimin e flakëve, ndërsa në disa zona rreziku për banesat është shmangur.

Në qarkun Dibër, vijon situata më e vështirë. Një nga zonat ku është përqendruar angazhimi më i madh është Gurë-Lurë. Zjarri vijon në dy drejtime, ndërsa forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll perimetrin pranë banesave, duke shmangur rrezikun për djegien e tyre.

Në terren janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor. Ndërhyrja vijon edhe në Qafën e Helmes, ku operojnë MZSH, forca bashkiake dhe struktura të njësisë administrative Selishtë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, vijon puna e strukturave të MZSH-së, ADZM-së dhe vullnetarëve, me mbështetje nga ajri të Forcave të Armatosura. Pavarësisht terrenit të vështirë dhe përhapjes së mëparshme të zjarrit, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lugaxhi të Elbasanit, situata vijon të kërkojë ndërhyrje të forcave në terren, pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Në operacion janë angazhuar MZSH, shërbimet pyjore, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, me mbështetje nga Forcat e Armatosura. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërhyrjet vijojnë edhe në Dardhë dhe Shalës.

Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, disa vatra vijojnë në zona me terren të vështirë. Forcat në terren po punojnë për izolimin e tyre, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Trojë të Mirditës, operacionit i janë bashkuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, në mbështetje të MZSH-së, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.

Në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, Shkodër, vijon puna për izolimin e plotë të vatrave. Në Goraj-Budishtë situata po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Ndërkohë, vatra në Kryezi është nën kontroll. Në Krujë, situata ka shënuar përmirësim.

Në Abaze ndërhyrja e forcave operacionale dhe e Forcave të Armatosura, e mbështetur nga një helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll. Ndërkohë, në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive. Në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.

Në Moravë të Devollit, ndërhyrja e MZSH-së ka bërë gjithashtu të mundur vendosjen e situatës nën kontroll. Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë dhe i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror.

Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, një autobot, tre ambulanca, nëntë mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.

Burimi: Bota Sot