Një studim i ri sugjeron se ngrënia e domateve çdo ditë mund të ndihmojë në uljen e yndyrës në mëlçi, sidomos te njerëzit me sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur të lidhur me çrregullimet metabolike (MASLD), ka shkruar EatingWell. MASLD është një nga sëmundjet kronike më të zakonshme të mëlçisë dhe lidhet me grumbullimin e tepërt të yndyrës në këtë organ.
Nëse nuk menaxhohet, mund të përparojë në dëmtime më serioze të mëlçisë. Studimi u zhvillua në Itali dhe përfshiu 79 të rritur me MASLD, të cilët u ndoqën për gjashtë javë. Një grup konsumoi çdo ditë rreth 200 gramë domate të freskëta, afërsisht një domate e madhe ose dy mesatare, 50 gramë salcë domatesh, rreth 3-4 lugë gjelle. Grupi tjetër nuk konsumoi domate gjatë kësaj periudhe.
Pas gjashtë javësh, të dy grupet patën ulje të yndyrës në mëlçi, por ulja ishte dukshëm më e madhe te personat që konsumuan domate. E rëndësishmja është se ky përmirësim ndodhi pa humbje të konsiderueshme në peshë, pa ndryshime të rëndësishme në indeksin e masës trupore (BMI) apo në masën dhjamore të trupit. Pse mund të ndihmojnë domatet?
Një nga përbërësit kryesorë të domates është likopeni, një antioksidant që mund të ndihmojë në reduktimin e stresit oksidativ dhe grumbullimit të yndyrës në mëlçi. Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet janë ende paraprake. Studimi ishte i vogël, zgjati vetëm gjashtë javë dhe u krye në një qendër të vetme.
Nevojiten studime më të mëdha dhe më afatgjata për të kuptuar nëse efekti vazhdon me kalimin e kohës dhe nëse ulja e yndyrës parandalon dëmtimet më serioze të mëlçisë. Nëse keni MASLD, domatet mund të jenë një shtesë e mirë në një dietë të shëndetshme, sidomos në kuadër të dietës mesdhetare.
Sasia e përdorur në studim ishte relativisht e thjeshtë për t’u përfshirë në ushqimin e përditshëm, një domate e madhe dhe disa lugë salcë domatesh në ditë. Megjithatë, domatet nuk janë “kurë” për mëlçinë dhjamore. Ushqyerja e ekuilibruar, aktiviteti fizik, kontrolli i peshës dhe këshillat e mjekut mbeten thelbësore. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
