Drita ka regjistruar një fitore të thellë ndaj Tre Fiorit me rezultat 5-0 (9-1), duke arritur kështu kualifikimin në ‘play-off’ të Ligës së Konferencës. Skuadra kosovare e nisi furishëm takimin dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të. Kemehlo Nguena realizoi për 1-0 duke i dhënë epërsinë Dritës.
Vetëm një minutë më vonë, Drita ishte shumë pranë golit të dytë, ndërsa në minutën e 38-të Ovouka goditi shtyllën. Presioni i Dritës u shpërblye sërish në minutën e 41-të. Nguena realizoi golin e dytë personal në ndeshje, pas asistimit të Ovoukas, duke e çuar rezultatin në 2:0. Pa kaluar shumë kohë, Drita shënoi edhe golin e tretë.
Në minutën e 43-të, Arb Manaj realizoi për 3:0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim. Drita vazhdoi me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 47-të, Mike Arthur shënoi për 4:0, vetëm pak çaste pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes. Në minutën e 60-të erdhi edhe goli i pestë.
Manaj realizoi sërish, këtë herë pas asistimit të Kemehlo Nguenës, duke e çuar epërsinë e Dritës në 5-0. Drita vazhdoi të krijonte raste dhe në minutën e 73-të Nguena ishte shumë pranë kompletimit të het-trikut, por goditja e tij përfundoi në shtyllë.
Në minutat e fundit, Drita kishte edhe disa mundësi për ta thelluar rezultatin, ndërsa Pëllumbi, Arthur dhe Jashari provuan portën, por pa sukses./ Telegrafi
