Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përshëndetur qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të mos marrë pjesë në një Qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti. Gjini ka thënë se Aleanca prej kohësh ka kundërshtuar, siç e ka cilësuar ai, “lojën e pandershme” të Kurtit dhe partisë së tij.
“Prandaj, qëndrimi i sotëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Kurtin është i drejtë dhe parimor dhe si të tillë e përshëndes”- ka shkruar Gjini. Sipas tij, Kurti synon të ketë kontroll të plotë mbi institucionet dhe shtetin.
“Ai synon të ketë kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet dhe mbi gjithë shtetin të cilin po e degradon çdo ditë”- ka deklaruar Gjini. Kreu i AAK-së ka renditur edhe disa kërkesa që, sipas tij, duhet t’i përmbushë cilado qeveri e ardhshme në Kosovë.
Ndër to, Gjini ka përmendur pranimin e gazit amerikan, ndërtimin e kapaciteteve energjetike, përfundimin e infrastrukturës kryesore, ngritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lirimin e bujqve nga tatimi në pronë dhe investimet në kryeqytet.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për poste në Qeveri, për kryetar të Kuvendit dhe për postin e presidentit të Republikës me qëllim të zhbllokimit të situatës politike në vend.
