Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Ishujt e kontestuar Kuril ka shkaktuar reagim të ashpër nga Japonia, e cila vijon t’i konsiderojë këto territore pjesë të saj.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, e cilësoi vizitën e Putinit si “plotësisht të papranueshme”, ndërsa ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi, thirri ambasadorin rus në Tokio, Nikolay Nozdrev, për t’i përcjellë protestën zyrtare të qeverisë.
Ishujt, të njohur në Japoni si Territoret Veriore dhe në Rusi si Kurilët Jugorë, u pushtuan nga Bashkimi Sovjetik në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Mosmarrëveshja territoriale mes dy vendeve ka vazhduar prej dekadash dhe ka qenë një prej pengesave kryesore për nënshkrimin e një traktati formal paqeje mes Japonisë dhe Rusisë.
“Historikisht dhe sipas ligjit ndërkombëtar, këto ishuj janë pjesë e Japonisë”, deklaroi Takaichi, duke theksuar se vizita e presidentit rus bie ndesh me qëndrimin e pandryshuar të Tokios për çështjen territoriale. Putin vizitoi ishullin Etorofu, i njohur në Rusi si Iturup, ku u shfaq duke vizituar një spital, duke takuar banorë dhe duke vizituar një fabrikë përpunimi.
Vizita përbën herën e parë që presidenti rus udhëton personalisht në këto ishuj të kontestuar. Mosmarrëveshja ka edhe një dimension historik të fortë. Para marrjes së kontrollit nga Bashkimi Sovjetik, rreth 17 mijë japonezë jetonin në ishuj. Sot, aty jetojnë rreth 20 mijë banorë rusë.
Katër territoret kryesore për të cilat pretendojnë të dyja palët janë Etorofu, Kunashiri, Shikotan dhe grupi i ishujve Habomai. Përveç rëndësisë strategjike, zona është e pasur me burime peshkimi dhe ka potencial për rezerva minerale. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!