Tottenham ka bërë një lëvizje të fortë për transferimin e Savinhos, duke i dorëzuar Manchester Cityt një ofertë zyrtare prej 85 milionë funtesh, shumë që përputhet me vlerësimin fillestar të klubit anglez për anësorin brazilian, raporton Globo Esporte. 22-vjeçari është i interesuar për transferimin te Tottenham, pasi beson se në Londër do të ketë më shumë hapësirë për të luajtur dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Savinho nuk mori pjesë në stërvitjen e Manchester Cityt të enjten, edhe pse mungesa e tij u shpjegua zyrtarisht me sëmundje. Megjithatë, kjo ka shtuar spekulimet rreth të ardhmes së tij, në një kohë kur Tottenham po këmbëngul për transferimin e tij. Braziliani ka bërë 84 paraqitje për Manchester Cityn gjatë dy sezoneve, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar 13 asistime.
Megjithatë, sezonin e kaluar ai ishte titullar vetëm në 14 nga 36 ndeshjet e zhvilluara. Mungesa e një vendi të rregullt në formacion ka ndikuar edhe në ambiciet e tij me Kombëtaren e Brazilit. Savinho dëshiron të luajë më shumë minuta në Ligën Premier, në mënyrë që të forcojë pozitat e tij në ciklin e ardhshëm të përfaqësueses braziliane.
Tottenham prej kohësh është i interesuar për Savinhon dhe tashmë ka bërë hapin konkret me ofertën prej 85 milionë funtesh. Edhe më herët, klubi londinez kishte zhvilluar kontakte me Cityn për brazilianin. Megjithatë, Manchester City nuk është i bindur për shitjen e tij, pavarësisht shumës së konsiderueshme të ofruar./ Telegrafi
