Gjiganti teknologjik Meta ka prezantuar zyrtarisht logon e re të platformës Instagram, duke shënuar ndryshimin e parë vizual të saj në dhjetë vitet e fundit. Drejtori i Instagramit, Adam Mosseri, njoftoi përmes një postimi ndryshimin e emrit tregtar ( wordmark ), duke shpjeguar se stili i vjetër nuk kishte ndryshuar prej një dekade.
Sipas tij, versioni i ri është më i pastër dhe modern, ndërsa ruan thjeshtësinë dhe elementet artistike që e kanë karakterizuar gjithmonë aplikacionin. Ndërkohë, ikonat e tjera, përfshirë atë të kamerës me ngjyra të ndryshme, kanë mbetur të pandryshuara. Megjithatë, reagimet kritike dhe ironitë në rrjetet sociale nuk vonuan.
Shumë përdorues vunë re menjëherë se shkronja “r” në logon e re të stilizuar ngjan lehtësisht me shkronjat “z” ose “u”, ndërsa shkronja “s” duket si një “a”. Kjo bëri që komentuesit të ironizonin se emri i ri mund të lexohet si “Instagzam” , “Instagwam” (siç do ta shqiptonte një fëmijë i vogël), apo edhe “Instaguam” .
Të tjerë kritikuan aspektin praktik të dizajnit, duke argumentuar se logoja e re është e vështirë për t’u lexuar dhe nuk i plotëson testet e aksesueshmërisë.
Përveç kritikave ndaj dizajnit, një pjesë e madhe e përdoruesve e shfrytëzuan ndryshimin për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me probleme më të mëdha të platformës, përfshirë mungesën e filtrave për përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) dhe numrin e madh të profileve false ( bot ).
Llogari të mëdha me miliona ndjekës i bënë thirrje Mosserit që, në vend të ndryshimeve vizuale, të fokusohet në mbështetjen e krijuesve të përmbajtjes dhe në zgjidhjen e problemit të mbylljes së llogarive pa sqarime zyrtare. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
