Ministria e Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e Republikës Federale të Gjermanisë kanë nënshkruar të enjten marrëveshjen për projektin e donacionit gjerman “Enable & Enhance Initiative”, me vlerë rreth tre milionë euro. Marrëveshja është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe atasheu gjerman i mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Guido Altendorf.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, projekti synon avancimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e misionit të saj.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe drejtori i Departamentit për Logjistikë dhe Infrastrukturë në MM, kolonel Imer Avdiu, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, si dhe përfaqësues të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
Dugolli ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai ka shprehur besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe përmes projekteve të tjera në të ardhmen. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
