Vetëm rreth një muaj pas nisjes së përgatitjeve dhe dhjetë ditë para ndeshjes së parë të kampionatit, Milani i ri i Ruben Amorimit po merr gjithnjë e më shumë formë. Një ditë e rëndësishme ka qenë ajo e sotmja, me Gerry Cardinale që mbërriti me helikopter në Milanello për të diskutuar me trajnerin dhe skuadrën planifikimin e merkatos.
Nga qendra stërvitore kuqezi kanë dalë edhe sinjalet e para për lojtarët që nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit portugez. Amorim kishte paralajmëruar se kjo do të ishte java e vendimeve dhe duket se ka mbajtur fjalën. Sipas raportimeve, Fikayo Tomori, Youssouf Fofana, David Odogu dhe, në mënyrë surprizuese, edhe Christopher Nkunku nuk janë pjesë e projektit të ri teknik.
Për këta futbollistë, drejtuesit e Milanit tashmë po kërkojnë zgjidhje në merkato. Klubi ka pasur vështirësi për të sistemuar lojtarët që nuk janë më në planet e trajnerit dhe deri tani ka arritur vetëm të dërgojë Arthekame në huazim te Lyon. Por lista e lojtarëve që mund të largohen nga “San Siro” është edhe më e gjatë.
Përveç emrave të përmendur nga Amorim, në merkato mund të përfundojnë edhe Filippo Terracciano, Santiago Gimenez dhe Pervis Estupiñán. Milani synon të sistemojë sa më shumë lojtarë gjatë javëve të fundit të merkatos, por gjetja e një zgjidhjeje për të gjithë nuk do të jetë aspak e lehtë.
