Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të heqë dorë nga çdo kërkesë për postet e Qeverisë, Kuvendit dhe presidentit, me qëllim të zhbllokimit të situatës politike në vend. Abdixhiku tha se Kosova po kalon në një nga periudhat më të vështira dhe se gjendja e krijuar në Kuvend është dëshmi e krizës aktuale.
Sipas tij, LDK-ja nuk dëshiron që Kosova të mbetet “peng i ambicieve partiake dhe protagonizmave”, ndërsa përgjegjësia e saj, siç tha, është që të mos e ushqejë krizën, por të ofrojë një rrugëdalje. “Kemi kontaktuar edhe dje me çdo parti politike, jo për shkak të nevojës për pushtet, por për shkak të përgjegjësisë ndaj vendit”- ka deklaruar Abdixhiku.
Ai tha se LDK-ja i kishte ofruar Lëvizjes Vetëvendosje partneritet, sipas të cilit LVV-ja do të kishte postin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ndërsa LDK-ja atë të presidentit dhe një rol në ekzekutiv. “Fatkeqësisht përgjigjja e LVV-së nuk ishte partneritet”- tha Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-së i ishte ofruar nga LVV-ja që të merrte tre poste ministrore dhe pozitën e zëvendëskryeministrit, ofertë të cilën kjo parti e kishte refuzuar. Në këtë situatë, kryetari i LDK-së tha se partia e tij tashmë është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat për pushtet, me synimin për të mundësuar zhbllokimin e institucioneve dhe të procesit politik.
