I arrestuari për spiunazh, në foto bashkë me Daçiqin

0%

Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Dragashit, Filiz Mustafa, ka publikuar një fotografi në të cilën shfaqet Fehim Sali, i arrestuari i sotëm nën dyshimin për spiunazh për shërbimin sekret serb (BIA), në shoqërinë e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mustafa ka kritikuar pushtetin lokal në Komunën e Dragashit, duke pretenduar se lidhjet e të dyshuarit me zyrtarë serbë kanë qenë të njohura prej vitesh.

“Ky fotografim i bërë para disa vitesh, ku janë bashkë Ivica Daçiq dhe i arrestuari i sotëm Fehim Sali, sikur nuk shërbente si argument për pushtetarët e ish-pushtetarët lokalë në Sharr (LDK & PDK), për të ndërprerë çdo komunikim me këtë njeri, që shihej e dihej haptazi se kujt i shërben”, ka shkruar Mustafa.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Reagimi i tij vjen në ditën kur Policia e Kosovës arrestoi Fehim Salin, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Sipas raportimeve, Sali punon si arsimtar në një shkollë në Dragash, e cila funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, autoritetet kanë sekuestruar rreth 40 mijë euro, 500 dinarë serbë, katër telefona celularë dhe dokumente që dyshohet se lidhen me rastin. Ndërkohë, institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me akuzat dhe provat që rëndojnë mbi të dyshuarin.

Ivica Daçiq aktualisht mban postin e ministrit të Brendshëm të Serbisë dhe njëherësh është zëvendëskryeministër i këtij shteti.

Burimi: Telegrafi