“Dalin nga shtëpia vetëm 1-2 herë në muaj”, raporti i UNESCO-s zbulon

0%

Kufizimet e vendosura nga talebanët kanë thelluar izolimin dhe përjashtimin e grave nga jeta publike në Afganistan, ndërsa raportet e UN Women dhe UNESCO-s paraqesin një panoramë alarmante për të drejtat, arsimin dhe punësimin e tyre.

Sipas UN Women, gjysma e grave afgane dalin nga shtëpitë vetëm një ose dy herë në muaj, ndërsa rreth 75% e të anketuarave thonë se nuk ndihen të sigurta të dalin pa shoqërinë e një të afërmi mashkull. Situata është veçanërisht e rëndë në arsim. Sipas UNESCO-s, rreth 2.4 milionë vajza janë privuar nga arsimi i mesëm që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021.

Afganistani mbetet i vetmi vend në botë ku vajzave u ndalohet arsimi i mesëm dhe grave arsimi universitar. Më shumë se 100 dekrete të autoriteteve talebane kanë kufizuar të drejtat e grave dhe vajzave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pasojat shfaqen edhe në mirëqenien psikologjike: sipas UN Women, 7 në 10 gra e përshkruajnë gjendjen e tyre si “të keqe” ose “shumë të keqe”, duke përmendur izolimin dhe mungesën e mundësive. Pabarazia është e thellë edhe në punësim. Vetëm 7% e grave janë të punësuara, krahasuar me 84% të burrave. Talebanët i mohojnë akuzat për shkeljen e të drejtave të grave.

Një zëdhënës i Ministrisë për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve ka deklaruar se gratë afgane kanë akses në të drejtat e tyre dhe se situata po ecën në një “drejtim pozitiv”. UN Women, megjithatë, e cilëson situatën në Afganistan si krizën më të rëndë të të drejtave të grave në botë, ndërsa të dhënat e UNESCO-s evidentojnë përmasat e përjashtimit të vajzave nga sistemi arsimor.

Burimi: Bota Sot