Përplasjet shpërthejnë në Kuvend, paralajmëron publicisti: Opozita po

0%

Përplasjet mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive janë përshkallëzuar edhe në përplasje fizike, ndërsa partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën e zhbllokimit të procesit institucional.

Në këtë situatë, aksionet e deputetëve të PDK-së para Qeverisë dhe më pas në Kuvend kanë nxitur debate për rolin e opozitës dhe ndikimin e veprimeve të saj në krizën aktuale politike. Për këtë situatë, për “Bota sot” ka folur publicisti Lis Bukuroca, i cili e kritikon ashpër qasjen e opozitës, duke e cilësuar atë si “teatrale”.

Sipas tij, një pjesë e opozitës po përpiqet të krijojë perceptimin se është duke luftuar për shtetin ligjor, ndërsa në praktikë, sipas tij, po kontribuon në pengimin e funksionimit institucional. “Opozita po luan një rol teatral dhe po përpiqet të bindë popullin se ajo ka të drejtë. Në fakt, në Kosovë kemi tre grupime të rëndësishme që janë duke e krijuar këtë gjendje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Grupi i parë janë njerëzit që luftojnë për shtetin ligjor. Edhe këtu ka individë që gjenden në opozitë, por problemi qëndron te liderët e opozitës, të cilët shpresojnë ta bindin popullin se janë në anën e drejtë, edhe pse me veprimet e tyre e pengojnë funksionimin e shtetit ligjor” , deklaroi Bukuroca.

Sipas tij, një pjesë e problemit lidhet pikërisht me liderët politikë, të cilët, sipas tij, kanë krijuar një sistem ku interesat partiake dhe personale vendosen përpara funksionimit të institucioneve.

Lis Bukuroca “Grupi i dytë janë liderët e partive politike, të cilët pa merita i kanë marrë ato pozita udhëheqëse dhe janë të obliguar e të detyruar të luftojnë shtetin ligjor për të mbrojtur ata që i kanë deleguar në opozitë.

Problemi është i qartë, sepse kemi një luftë mes shtetit ligjor dhe një sistemi që, nga gjykatat te prokuroria e deri te qeveria, për një kohë të gjatë ka funksionuar në shërbim të liderëve politikë dhe për mbrojtjen e interesave të tyre. Ka shumë shembuj që mund t’i dëshmojnë këto pohim e”, u shpreh publicisti.

Bukuroca e sheh situatën edhe në raport me ndikimet e jashtme, duke përmendur një grup njerëzish të cilët, sipas tij, mund të jenë të lidhur financiarisht me Serbinë. Megjithatë, ai thekson se për pretendime të tilla mungojnë prova të mjaftueshme për të identifikuar konkretisht persona apo media. “Grupi i tretë janë njerëzit që paguhen nga Serbia.

Për fat të keq, si në media ashtu edhe në politikë, nuk kemi informata dhe as dëshmi të mjaftueshme se cilët persona apo cilat media paguhen drejtpërdrejt nga Serbia. Kemi shumë dyshime, por pak fakte. Dyshimet lindin nga veprimtaria e tyre, në të cilën shpesh lexohet një qasje antishtetërore ndaj Kosovës. Ata mbrojnë interesat e atyre që mund t’i financojnë.

Covidi nuk i ka shfarosur udbashët!”, deklaroi Bukuroca. Sipas tij, pikërisht këto tri kategori e përshkruajnë më së miri, në këndvështrimin e tij, krizën aktuale politike në Kosovë.

“Pra, Kosova i ka ato tri grupime: një grup që lufton për shtetin ligjor, një pjesë e opozitës që pretendon se po lufton për shtetin ligjor, por e pengon atë, dhe një grup tjetër që vepron në funksion të interesave të jashtme” , tha ai.

Duke folur për aksionet e opozitës dhe mënyrën se si ato mund të ndikojnë në situatën institucionale, Bukuroca kritikon veprimet që, sipas tij, kanë për qëllim sabotimin e institucioneve dhe krijimin e presionit politik. “Nuk është normale që qeveria të sabotohet, të denigrohet dhe të shantazhohet përmes proceseve politike, përfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit të shtetit.

Këtë paradoks e kanë thelluar edhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpesh është kritikuar për mungesë paanshmërie dhe për vendime që kanë ndikuar në mënyrën e funksionimit të Kuvendit, edhe pse nuk është gjithmonë e qartë se ku mbështeten këto interpretime në mënyrë të drejtpërdrejtë në Kushtetutë ”, u shpreh ai.

Duke iu referuar debatit për praninë e deputetëve në Kuvend, publicisti shprehet kundër interpretimit se Kushtetuta përcakton një numër të domosdoshëm prej 80 deputetësh. “Në Kushtetutë nuk parashihet askund prania e domosdoshme e 80 deputetëve në Kuvend. E ka shpikur Gjykata!”, deklaroi Bukuroca.

Ndërkohë, sa i përket Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje, ai vlerëson se edhe pushteti aktual ndodhet përballë një krize të madhe dhe se një prej vështirësive kryesore është mungesa e bashkëpunëtorëve të qëndrueshëm. “Pra, sabotimi i shtetit bëhet në shumë drejtime.

Qeveria e sotme, Vetëvendosja, është në një krizë të madhe, edhe për arsye se e ka të vështirë të gjejë bashkëpunëtorë të qëndrueshëm, sepse shumë aktorë politikë shtiren se po veprojnë në favor të shtetit, ndërsa në fakt mbrojnë interesa të tjera.

Në fund, problemi i Kosovës nuk është vetëm ndarja mes pushtetit dhe opozitës, por dallimi mes atyre që realisht e mbrojnë shtetin dhe institucioneve të tij, dhe atyre që i përdorin ato për interesa politike, personale apo të jashtme”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot