Pas fitores të së shtunës së 14 prillit të vitit 1990 me rezultat 2:1 ndaj OFK Beogradit në “Karaburma”, Prishtina të mërkurën (mesjavë, 18 prill) e luante ndeshjen e radhës kundër skuadrës kroate Goshk Jugu. Interesim i madh përkundër se ishte ditë më shi, mbi 20 mijë shikues në përkrahje të djelmoshave të Prishtinës.
Një ndeshje më e vështirë seç pritej, Prishtina mezi fitoi në sekondat e fundit, me rezultat 1:0 ndaj Goshk Jugut të Dobrovnikut. Agim Xhafa dhe Sami Dobreva u paraqitën titullarë në petkun e Goshk Jugut. Avni Stublla ishte i saktë nga penalltia, gëzoi mbi 20 mijë shikues në stadiumin e Prishtinës.
Pas javës së 29-të Prishtina renditej në vend të pestë me 34 pikë, ndërsa Zemuni kryesonte me 38, pasonin Proleteri me 36, Sutjeska 35, Slloboda e Uzhicës 35, ndërsa Dinamo e Vinkovcit ishte në vend të gjashtë me 32 pikë etj. “Në minutën 81, kur Vuksanoviq për pak nuk shënoi nga para në portë gol. Ai bëri një degazhim të gjatë.
Topi përballoi të gjithë e edhe portierin Hasanoviq, por në vend që të hyjë në rrjetë shkoi mbi traversale”, ka shkruar gazeta “Rilindja”me datën 19 prill të vitit 1990. Goshk Jugu ishte afër befasisë së madhe, skuadër që renditej në vend të 13-të me 26 pikë. Në stadium emocione të mëdha. Dëshpërimi të tifozët e Prishtinës, por në çastet e fundit u kthye në festë të madhe.
”Kjo nuk mbahet mend, e as që dikush dëshiron të përsëritet. Kur mbi 20 mijë veta kishin humbur të gjitha shpresat dhe me zemra të thyera përgatiteshin që të shikojnë penalltinë, përnjëherë erdhi gëzimi. Delli ngrohu para se të perëndonte – në sekondat e fundit. Prishtinasit organizuan aksionin e fundit.
Në krahun e majtë Kozniku arriti që topin ta kthejë deri te Keçi, i cili me hapa të shpejtë përballoi Nikoliqin, e kur hyri në 16-sh, përballoi edhe një lojtar tjetër kundërshtar, me ç’rast i krijoi vetes hapësirë për të gjuajtur. Dhe, në momentin kur ai vendosi të gjuajë, nga pas startuan Çimiq e Petroviq. Keçi u rrëzua. Të gjithë në tribuna klithën me një zë – penallti!
Referi Kirovski pa u hamendur fare tregoi në pikën e bardhë, e cila ishte fshi nga rrebeshi i shiut. Gëzim i papërshkruar. Mirëpo, kush ta ekzekutoi penalltinë? Të gjithë i ikin kësaj përgjegjësie. Me në fund, Avni Stublla që mori topin. Në tribuna qetësi totale, frika nga dëshpërimi ishte e madhe. Mirëpo, Stublla i qetë gjuajti me mjeshtri e me fuqi dhe 1:0.
Çfarë gëzimi në fushë e çfarë në tribuna. Të gjithë harruan vuajtjet e deriatëhershme”, ka shkruar mes të tjera gazeta e asokohe. Prishtina – Goshk Jugu 1:0 Stadiumi i qytetit në Prishtinë. Spektatorë mbi 20 mijë. Referoi Vasil Kirovski i Shkupit. Realizatorë: Stublla në minutën e 90-të (nga penalltia). Kartonat e verdhë: Kollari (Prishtina), Hasanoviq e Dobreva (Goshk Jug).
Prishtina: Bozhidar Vuksanoviq 6, Arbnor Morina 6, Avni Stublla 7, Sunaj Keçi 7, Fehmi Hyseni 7, Muhamed Kolenoviq 6, Eroll Salihu 6, Besnik Kollari 6, Adil Vokrri 6 (Fadil Berisha 6), Mensur Nexhipi 6 (Luan Dërmaku 6) dhe Ardian Kozniku 6.
Goshk Jugu: Hasanoviq 7, Gligoriq 7, Mustahiniq 6, Çimiq 6, Petroviq 7, Agim Xhafa 7, Kërstiçeviq 6 (Glegj), Nikoliq 6, Dukiq 6, Dilberoviq 6 dhe Sami Dobreva 7.
