Qytetarët e Hanit të Elezit do të protestojnë nesër, më , kundër përdorimit dhe djegies së gomave të përdorura si lëndë djegëse në procesin e prodhimit të çimentos në fabrikën SharrCem. Protesta do të nisë në ora , ndërsa grumbullimi i qytetarëve do të bëhet para Komunës së Hanit të Elezit. Nga aty, protestuesit pritet të vazhdojnë drejt hyrjes së fabrikës SharrCem.
Sipas asamblistit në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit, Visar Hasallari, protesta po organizohet nga qytetarët për të kundërshtuar përdorimin e gomave të përdorura dhe për të kërkuar më shumë transparencë lidhur me këtë proces.
Hasallari ka thënë se debati publik i mbajtur për këtë çështje nuk është paraprirë nga një informim i mjaftueshëm i qytetarëve, duke bërë që pjesëmarrja e tyre në debat të ishte pothuajse inekzistente. Sipas tij, në debat ishin kryesisht disa punëtorë të fabrikës, ndërsa qytetarët nuk patën mundësi të mjaftueshme për t’u informuar dhe për të shprehur qëndrimin e tyre.
“Për një çështje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në mjedisin dhe shëndetin e banorëve, qytetarët duhet të jenë të informuar dhe të kenë mundësi reale të marrin pjesë e të shprehin qëndrimin e tyre”- ka deklaruar Hasallari.
Qytetarët kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit që debati publik të përsëritet, ndërsa kanë kërkuar edhe vlerësime profesionale nga institucionet tjera, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Megjithatë, sipas Hasallarit, pasi kërkesat e tyre institucionale nuk kanë sjellë zgjidhjen e kërkuar, qytetarët kanë vendosur që të protestojnë në mënyrë paqësore.
