Sot çdokush në Kosovë e jashtë saj ka kuptuar një fakt: – Partia Demokratike e Kosovës dhe AAK janë bashkë për ta destabilizuar Kosovën dhe për të defunksionalizuar shtetin. Të dy partitë i janë kundërvënë mazhorancës dhe përfaqësuesve të saj për të imponuar një vullnet politik të paprecedentrë. Përplasje midis deputetëve e linçim i Donika Gërvallës.
Moslejimi për të zhvilluar konferencën e shtypit të presidentes në detyrë, zonjës Albulena Haxhiu. Brohoritje në sallë kur foli Donika Gërvalla. Sulme kundër saj, kinse këta batakçinjtë e PDK-së dhe AAK-së mbrojnë UÇK-në. Në fakt mbrojnë krimet dhe kriminelët që kanë vrarë anëtarë dhe aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat Gërvalla i ka denoncuar.
Kjo panoramë e pamjeve në godinën e Kuvendit të Kosovës është trishtuese për shumë arsye. Së pari, sepse Kosova nuk ka asnjë arsye të përballet e të përbaltet me të tilla veprime anarkiste dhe çmenduri si këto. E dyta, se veprimet destruktive të PDK-së dhe AAK-së vijnë në një kohë kur Serbia ka mobilizuar gjithçka ka në dorë për ta rrënuar shtetin e Kosovës dhe vetë atë.
Së treti, sepse PDK dhe AAK nuk duan një president të propozuar nga Lidhja Demokratike. Nuk duan një president që t’i ngjajë staturës psh të ish-presidentit, Fatmir Sejdiu. Së katërti, sepse drejtuesit e të dyja këtyre partive janë nën presionin e hajdutëve grabitçarë të Kosovës, të cilëve u konvenon anarkia.
Kërkesa e Albin Kurtit për të gjetur zgjidhje për zgjedhjen e presidentit e më pas për të formuar kryesinë e Kuvendit dhe qeverinë e re është jo vetëm legjitime dhe një e drejtë e mazhorancës. Ajo është gjithashtu nevojë jetike për Kosovën.
Vetëm Partisë Demokratike, AAK-së dhe tutorëve të tyre anti-Kosovë ju intereson që Kosova të shkojë në zgjedhje pasi të bëje ushtrime si kjo e zgjedhjes së qeverisë. Ndërkohë që vendit i duhet sipas rendit, së pari presidenti, me qëllim që ai ta dekretojë qeverinë. Por për grabitçarët e Kosovës nuk ka asnjë rëndësi kjo. Rëndësi ka forca dhe aventura në mungesë të votave.
Të dy këto parti kanë fituar vetëm 29 deputetë, ndërkohë që Lëvizja Vetëbendosje ka gjithsej 52 parlamentarë. Këta 29 deputetët e PDK-së dhe AAK-së në fakt janë për nga aventurat e rrëmujës më shumë se 91 të tjerët, përfshirë edhe Listën Srpbska. Çdo kujt i mjafton vetëm një fakt për të provuar sa aventurë e rrezikshme është destabilizimi dhe goditja e institucioneve të shtetit.
Ky fakt lidhet me heshtjen dhe mosveprimin e Listës Srpska dhe të Beogradit në adresë të zhvillimeve në Kosovë. Të dyja këto adresa po i nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e deputetëve destruktivë të PDK-së dhe AAK-së. Kjo nisi me vezët e Times. Po vazhdon me brrylat dhe fyerjet e deputeteve dhe deputetëve të tjerë.
Se vezët e Times ishin në skenarin e Haradinajt u duk qartë kur vetë Ramushi dhe Besnik Tahiri u vunë në rolin e bodigardëve të saj. Janë detaje këto që flasin shumë. Që tregojnë se kemi të bëjmë me skenarë të rrezikshëm për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Ndërkaq në këtë lloj kaosi kanë ndodhur ngjarje të mëdha dhe të papërsëritshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ura e Ibrit e “privatizuar” nga KFOR-i prej 27 vitesh iu rikthye Kosovës së pavarur. Dhe kjo e ka nervozuar Aleksandër Vuçiq, i cili nuk është përmbajtur për të akuzuar komandantin turk të KFOR-it. Po kështu KFOR-i pas 27 vitesh ktheu sigurinë e manastirit të Deçanit në duart e policisë së Kosovës.
Në vend që PDK dhe AAK, si dhe mediet pranë tyre, t’i përdorin këto ngjarje në dobi të vendit, ato kanë vendosur të bëjnë të kundërtën. Atë që mund ta bënte Lista Srpska për destabilizimin e Kosovës, me qëllim pengimin e subjektivitetit të saj shtetëror, po e bën tashmë Bedri Hamza dhe Ardian Gjini, saktësisht Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj.
Se Ramush Hardinaj niset në gjithë këtë masiv pylli pa sëpatë në dorë, kurrë nuk e kisha menduar! Por i madhi Rrok Mirdita thotë se rrnojmë për me tregue. Çfarë do t’u tregojnë brezave PDK dhe AAk në këtë rast? Se ato bënë luftën për ta plaçkitur Kosovën?! Se ato u zotuan se do ta digjnin Kosovën, nëse pavarësinë e saj do ta shpallte Ibrahim Rrugova?!
Se ato mbrojnë kriminelët dhe lëndojnë viktimat e tyre, dëshmorë të lirisë, të cilët ishin anëtarë dhe aktivistë politikë kundërshtarë në Lidhjen Demokratike?! Se ata e djegin Kosovën për të mbrojtur pasuritë dhe privilegjet e grabitura me dhunë shtetërore, sa kohë ishin në pushtet?! Se ato me ose padashje bëjnë lojën e Beogradit në Kosovë?! Çfarë do të tregojnë?
Edhe Albin Kurti e pati djeg parlamentin e Kosovës dhe kundër këtyre akteve kam shkruar aso kohe. Por së paku ai kishte kauzë. Kishte kauzë kundërshtitë për ngritjen e Gjykatës Speciale në Hagë! Vendimin për t’ia dhënë Malit të Zi 8000 hektarë tokë të Kosovës! Nënshkrimin e marërveshjes për ta krijuar një Republikë Srpska si në Bosnjë edhe në Kosovë!
Kauza e PDK-së dhe e AAK-së është kauzë hipotetike me arsyetime bajate të tipit “Kurti dëshiron që ta sundojë shtetin”, Kurti do të krijojë asosacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin në fakt e kanë krijuar vetë ata. Kurti ka për qëllim…! etj.
Me supozime dhe pa asnjë fakt të qenësishëm PDK dhe AAK po krijojnë narrativën e urrejtjes, hakmarrjes dhe lëvizjeve anarkiste, të cilat mund të shndërrohen në luftë civile. Bravo Ramush! Bravo Bedri! Ia keni arrit që të tregoni forcë kundër “një regjimi!, i cili po të ishte i tillë do t’ua kishte treguar me kohë vendin ju! Kosova i ngjan 17-18 marsit 2004!
Por asokohe u pa qartë se ishte Serbia autore e anarkisë. Ndërsa sot Serbia ka vënë në veprim dorën e zgjatur të saj brenda AAK-së dhe PDK-së! Turp!
