6 persona janë arrestuar nga policia e Divjakës pas një konflikti që nisi në një lokal dhe që rrezikoi të përshkallëzohej deri në përdorimin e armës. Mësohet se në pranga janë vënë shtetasit Orgito Lamka, Kevin Sota, Serxhio Duda, Shahin Xhepexhiu, Santiago Alla dhe Zeni Kule.
Ngjarja nisi një lokalin në pronësi të 50 vjeçarit Zeni Kule, ku të lënduar mbetën 22 vjeçari Orgito Lamka dhe 51 vjeçari Shahin Xhepexhiu. Disa orë më vonë, policia mori informacion se 22-vjeçari ishte rikthyer në lokal i armatosur me një pistoletë me silenciator, me fishek në fole. Sipas policisë, ai dyshohet se synonte të vriste Shahin Xhepexhiun.
Shërbimet policore ndërhynë menjëherë dhe e arrestuan, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Në pranga përfunduan edhe 5 të tjerët. Orgito Lamka rezulton me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë. Serxhio Duda, 28 vjeç, dyshohet se drejtonte automjetin me të cilin Lamka u rikthye në lokal.
Edhe ky person rezulton sipas policisë me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Kevin Sota, 45 vjeç, u arrestua pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij iu gjet një tjetër pistoletë, ndërsa Santiago Alla, 30 vjeç, dyshohet se tentoi të largonte armën nga automjeti i Sotës.
Ndërkohë, Zeni Kule, pronari i lokalit, dhe Shahin Xhepexhiu, një nga personat e përfshirë në konflikt, u arrestuan për moskallëkim krimi. Sipas policisë, gjatë hetimit rezultoi se Xhepexhiu nuk kishte treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Njoftimi i plote i Policise: Finalizohet nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, operacioni policor i koduar “Crime Prevented”. Ndjekja në dinamikë nga shërbimet e Policisë e një konflikti, fillimisht me sende të forta, parandaloi një vrasje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator. Vihen në pranga 6 shtetas. Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta. Menjëherë, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin O. L., 22 vjeç, dhe shtetasin Sh.
Xh., 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta. Shtetasit O. L. dhe Sh. Xh., pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre.
Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh.
Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen. Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve: – O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje. – K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë. – S.
D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh. – S. A., 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S. – Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi. – Sh.
Xh., 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare. Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
