Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar të këmbëngulë në idenë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, duke pretenduar se një kërkesë e tillë kishte ardhur më herët edhe nga Komuna e Novi Pazarit dhe disa organizata të këtij qyteti.
Gjatë një vizite në juglindje të Serbisë, Vuçiq ka deklaruar se për projektin kishte ekzistuar dokumentacion paraprak dhe ka paralajmëruar formimin e një grupi ekspertësh që do të merret me këtë çështje gjatë javës së ardhshme.
“Dikur këtë e kërkonte Komuna e Novi Pazarit dhe disa organizata nga ai qytet”, ka pretenduar presidenti serb, duke iu përgjigjur reagimeve ndaj deklaratave të tij për devijimin e Ibrit. Sipas tij, projekti lidhej me një plan për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit.
Megjithatë, Vuçiq nuk ka dhënë detaje se në çfarë mënyre do të ndryshohej rrjedha e lumit dhe si do të zbatohej konkretisht projekti. Ideja ka shkaktuar reagime, veçanërisht për shkak të rëndësisë së Ibrit për Kosovën, ku lumi ka rol të rëndësishëm në sistemin e burimeve ujore dhe furnizimin me ujë.
Vuçiq ka bërë të ditur se grupi i ekspertëve do të nisë punën javën e ardhshme, ndërsa mbetet e paqartë nëse dhe si do të avancojë ky projekt. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
