Tuchel vlerëson Kroacinë para përballjes së Kupës së Botës: Kanë përvojë, cilësi dhe një mesfushë të jashtëzakonshme

0%

Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka folur me shumë respekt për Kroacinë në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë të Grupit L në Kupën e Botës, e cila zhvillohet të mërkurën mbrëma në Dallas. Tekniku gjerman e cilësoi Kroacinë si një kundërshtar shumë të fortë, duke veçuar përvojën e lojtarëve dhe cilësinë që vazhdon ta karakterizojë ekipin e drejtuar nga Zlatko Dalic. “Mendoj se është e qartë se ata ende e kanë bërthamën e ekipit në mesfushë me Mateo Kovacic dhe Luka Modric. Gjërat kanë ndryshuar pak, pasi mund të luajnë edhe me tre mbrojtës, por kanë një repart defensivë shumë të fortë dhe zemra e ekipit mbetet mesfusha”, deklaroi Tuchel. Ai shtoi se Kroacia vazhdon të jetë një prej kombëtareve më të vështira në turnetë e mëdhenj. “Ata kanë përvojë të madhe në turne, një trajner shumë të përvojë dhe tradicionalisht një ekip kombëtar shumë të fortë. Kjo është sfida që na pret. Duhet të jemi të mirë në presion, të marrim iniciativën dhe të tregojmë cilësitë tona nëse duam të fitojmë”, theksoi ai. telegrafi.com Tuchel foli edhe për dëmtimin e Tino Livramentos, i cili është larguar nga grumbullimi i Anglisë. “Ai ishte shumë i zhgënjyer. Menjëherë e ndjeu se bëhej fjalë për një dëmtim serioz. Pas ekzaminimeve u konfirmua se mund të mungojë katër deri në pesë javë, prandaj u detyruam ta dërgojmë në shtëpi. Ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, tha trajneri anglez. Sa i përket gjendjes së skuadrës para ndeshjes, Tuchel u shpreh optimist. “Jam i emocionuar. Këto 16 ditë kanë kaluar shumë shpejt. Tani që kemi mbërritur në qytetin ku do të luajmë, ndiejmë emocionin dhe tensionin e garës. Kam ndjesinë se jemi gati dhe mezi presim të zbresim në fushë”, përfundoi ai. Ndeshja mes Kroacisë dhe Anglisë zhvillohet të mërkurën nga ora dhe konsiderohet një nga përballjet më interesante të raundit të parë në Kupën e Botës.

Burimi: Telegrafi