Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, do të largohet nga posti në fund të muajit, për t’i kushtuar më shumë kohë fëmijëve të saj të vegjël dhe familjes. Trump e përshkroi Leavitt si një nga ndihmëset e tij më të besuara dhe vlerësoi lart punën e saj gjatë kohës në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha se e kupton dhe e respekton vendimin e saj për t’u larguar nga detyra. Leavitt, 28 vjeçe, ka qenë zëdhënësja kryesore e administratës Trump dhe personi përgjegjës për komunikimin e përditshëm të Shtëpisë së Bardhë me mediat. Sipas liderit amerikan, edhe pas largimit nga posti, ajo do të mbetet pranë tij si një nga këshilltaret kryesore jashtë administratës.
Ai tha se ajo do të ketë gjithashtu një rol të rëndësishëm në Partinë Republikane, ndërsa republikanët përgatiten për zgjedhjet afatmesme.
“Karoline ka qenë një udhëheqëse e vërtetë në Shtëpinë e Bardhë dhe ka bërë një punë fenomenale duke luftuar për drejtësinë, lirinë dhe të drejtat”, deklaroi Trump, duke vlerësuar angazhimin e saj politik që prej vitit 2018, përfshirë fushatën e tij të rizgjedhjes në vitin 2024. Largimi i Leavitt vjen pak kohë pasi ajo u rikthye në detyrë pas pushimit të marrë pas lindjes së fëmijës.
Ajo kishte munguar nga prilli deri në korrik dhe u rikthye në podiumin e Shtëpisë së Bardhë në mesin e korrikut. Leavitt u emërua në këtë post në fillim të mandatit të dytë të Trump dhe u bë personi më i ri që ka mbajtur ndonjëherë detyrën e sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Lideri amerikan tha se roli i ri i Leavitt si këshilltare e jashtme do ta lejojë atë të vazhdojë të ndikojë në politikën republikane dhe në përpjekjet e administratës për të fituar zgjedhjet afatmesme.
