Pas reagimeve për tërheqjen e pranisë së Misionit të KFOR-it nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, NATO ka theksuar se po punon për të siguruar që misioni paqeruajtës të jetë i përshtatur me mjedisin aktual, duke pasur parasysh përmirësimet në situatën e sigurisë.
Sipas zëdhënëses së NATO-s, Allison Hart, nën udhëheqjen e qëndrueshme të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kanë filluar ta përshtatin qëndrimin e tyre, në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe palët e interesuara përkatëse.
“Këto përshtatje dëshmojnë përparim të prekshëm në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
Ky proces bazohet në kushtet në terren dhe mund të rikthehet nëse rrethanat e kërkojnë.” – ka shkruar më në platformën X zëdhënësja e NATO-s.
Hart ka thënë po ashtu se NATO mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve. #NATO is working to ensure that our peacekeeping mission in Kosovo, @NATO_KFOR , is optimized for the current environment, given improvements to the security situation Under the steady leadership of KFOR Commander Major General Özkan Ulutaş, we have begun to adjust our posture,… — NATO Spokesperson (@NATOpress) August 12, 2026 Dy ditë më parë, KFOR e ka konfirmuar se ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në vend të tyre po vendosen njësitë e Policisë të Kosovës. Në anën tjetër, Lista Serbe, në emër të popullit serb, ka shprehur kundërshtim të fuqishëm ndaj, siç thonë ata, tërheqjes apo çdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër. Madje, ata thonë se kanë kërkuar një takim urgjent me komandantin e KFOR-it.
“Duke pasur parasysh situatën jashtëzakonisht të ndërlikuar politike dhe të sigurisë, si dhe faktin se hapësira e urës kryesore ka qenë për dekada vend i tensioneve dhe përleshjeve serioze, konsiderojmë se çdo vendim që mund të ndikojë në sigurinë në këtë lokacion të ndjeshëm duhet të merret me kujdesin më të madh të mundshëm dhe duke marrë plotësisht parasysh shqetësimet e qytetarëve”- thuhet në reagimin e tyre.
Ky subjekt politik e ka ftuar KFOR-in të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe që, përmes veprimeve të tij, të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët.
