NATO po punon për të siguruar optimizimin e misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR, duke u bazuar në përmirësimin e situatës së sigurisë. Kështu ka shkruar në platformën “X” zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.
Ky njoftim vjen vetëm dy ditë pasi që KFOR-i njoftoi për fillimin e tërheqjes graduale nga prania e përhershme te Ura e Ibrit e po ashtu për integrimin gradual të Policisë së Kosovës në sigurimin e Manastirit të Deçanit.
“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i përshtatur me rrethanat aktuale, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Nën udhëheqjen e qëndrueshme të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kemi filluar të përshtatim pozicionimin tonë, në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe palët relevante.
Këto përshtatje dëshmojnë përparim konkret në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ky proces bazohet në kushtet në terren dhe mund të përmbyset, nëse është e nevojshme”, shkroi ajo.
Sipas saj,NATO mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve.
