Ambasadorja e Aston Martinit dhe ish-pilotja e W Series, Xhesika Hokins, beson se një grua do të garojë në Formula 1 brenda “pak vitesh”, duke mbështetur F1 Academy për të zhvilluar talente të afta për të luftuar për vende në vijën e nisjes së Çmimeve të Mëdha.
Xhesika Hokins, ambasadore e Aston Martinit dhe ish-pilote e W Series, beson se një grua do të garojë në Formula 1 brenda “pak vitesh”, duke mbështetur F1 Academy për të zhvilluar talente të afta për të luftuar për vende në vijën e nisjes së Çmimeve të Mëdha.
Hokins, e cila u bë gruaja e parë pas gati pesë vitesh që testoi një makinë moderne të F1, kur drejtoi Aston Martin AMR21 në Hungari në vitin 2023, diskutoi afatin kohor për një pilote femër në F1 gjatë një daljeje në podcastin “Road to Success”. E pyetur nëse pret të shohë një grua të marrë një vend si pilote në një garë të F1 gjatë jetës së saj, britanikja ishte e prerë.
“Mendoj se jemi disa vite larg. Por besoj se do të ndodhë”, shpjegoi ajo. “Do të isha hipokrite nëse do të ulesha këtu dhe do të thosha se nuk mendoj se kjo do të ndodhë, sepse unë besoj se do të ndodhë. Nëse do të thosha jo, kjo do të binte ndesh me gjithçka që unë përfaqësoj”, tha ajo. Hokins hodhi poshtë sugjerimet se forca fizike do t’i pengojë gratë të konkurrojnë në F1.
Duke reflektuar mbi testin e saj në F1, ajo tha se qafa e saj pati vështirësi pasi përfundoi gjysmën e distancës së një gare, por ia atribuoi këtë mungesës së përgatitjes së kohëve të fundit në njëvendëshe dhe jo biologjisë. “Jam absolutisht e bindur se gratë janë mjaftueshëm të forta për Formula 1”, vazhdoi ajo.
“Jam e bindur, pasi kam drejtuar vetë një të tillë për gjysmën e distancës së një gare, se mund të kisha përshkuar të gjithë distancën e garës. Qafa ime po vuante. Qafa ime po vuante vërtet shumë. Por mendoj se qafa e çdo personi që drejton për herë të parë një makinë të Formula 1 do të vuante. Kjo nuk ndodhi sepse isha grua.
Kjo ndodhi edhe sepse nuk kisha garuar në një kampionat të Formula 2 përpara tij. Nuk kisha garuar në një kampionat të Formula 3 menjëherë përpara tij. Edhe pilotët e Formula 1, herën e parë që rikthehen pas një viti, ndoshta e kanë qafën të dhimbshme në fund të ditës. Kjo nuk ndodhi sepse isha grua.
Mund ta kisha përfunduar distancën e një gare nëse nuk do të ishte për qafën time”, vazhdoi më tej. 31-vjeçarja argumentoi se F1 Academy ofron kohën e nevojshme në pistë dhe ekspozimin që në fillimet e karrierës, të cilat më parë nuk ekzistonin për gratë në motorsport.
“Tani është ndryshe, sepse nëse shikon F1 Academy, wow, në moshën time unë vetëm mund të ëndërroja për diçka të tillë”, tha ajo. “Dhe disa prej tyre ndoshta nuk e kuptojnë se si ishte situata vetëm disa vite më parë. Mendoj se kampionati ka aftësinë të krijojë vërtet disa pilote. Disa pilote do të hyjnë në të dhe do të fundosen. Disa pilote do të hyjnë në të dhe do të notojnë.
Dhe ato që do të notojnë, janë ato që janë mjaftueshëm të mira për të ngjitur shkallët dhe për të luftuar për këto vende në Formula 1 dhe për të luftuar për mundësi në motorsport ”, mbylli ajo.
