Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se partia e saj do të parashtrojë sërish kërkesë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit pas 48 orësh.
Çitaku ka deklaruar se veprimtaria politike e PDK-së nuk do të kufizohet më vetëm brenda objektit të Kuvendit, por do të shtrihet edhe jashtë tij, përmes formave më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.
Ajo ka kritikuar deputetin më të vjetër të Kuvendit dhe kryesuesin e seancave, Avni Dehari, duke e akuzuar se po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe se po i nënshtrohet vullnetit të partisë së tij. “Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Më pas u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë dhe, pas kërkesës sonë, u refuzua thirrja e seancës”, ka deklaruar Çitaku. Sipas saj, Kushtetuta po zbatohet vetëm atëherë kur kjo u përshtatet interesave të një partie politike.
“Kur vullneti i një partie politike vendoset mbi Kushtetutën, rregullat dhe institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe demokracisë. Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre”, ka thënë ajo.
Çitaku i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kontribuojë në zhbllokimin e situatës dhe konstituimin e Kuvendit. “Këto mandate na i ka dhënë qytetari dhe jo Vetëvendosja. Përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit, Kurti po na e pamundëson ushtrimin e mandatit që na kanë dhënë qytetarët.
Sot kemi një thirrje për Albin Kurtin: ta kthejmë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin dhe ta lëmë Republikën të funksionojë”, është shprehur ajo. Deputetja e PDK-së ka përsëritur se do të kërkojnë sërish mbajtjen e seancës pas 48 orësh, ndërsa ka paralajmëruar edhe mobilizim politik jashtë institucioneve. “Kosova nuk ka nevojë për tensione të reja”, ka thënë Çitaku.
Ajo gjithashtu ka akuzuar pjesëtarët e sigurisë për cenim të integritetit fizik të disa deputetëve të PDK-së gjatë zhvillimeve në Kuvend. Për këtë, ka paralajmëruar se partia do të ndërmarrë masa përmes Inspektoratit Policor të Kosovës. “Ne nuk jemi këtu për show. Ky nuk ka qenë aksion politik.
Ne i jemi përgjigjur detyrës sonë kushtetuese dhe ligjore për ta konstituar Kuvendin e Republikës”, ka deklaruar Çitaku.
