Për Omar Abdulkadir Artan, Botërori i këtij viti duhej të ishte kulmi i një karriere të jashtëzakonshme. Arbitri somalez, që prej vitesh po shkruante histori për futbollin afrikan, ishte përzgjedhur mes shtatë gjyqtarëve afrikanë për turneun më të madh të futbollit në botë. Por ëndrra iu ndërpre vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës.
Artan, 34-vjeçar, u ndalua në aeroportin ndërkombëtar të Miamit dhe u mor në pyetje për rreth 11 orë, para se të deportohej nga Shtetet e Bashkuara. Sipas një zëdhënësi të Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së, hyrja e tij u refuzua për shkak të “shqetësimeve gjatë verifikimit”.
Një zyrtar i administratës Trump deklaroi më vonë për CNN se gjatë kontrolleve ishte gjetur informacion negativ, përfshirë një pretendim për lidhje me persona të dyshuar si pjesëtarë të organizatave terroriste. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë bërë publike detaje të tjera për këto pretendime. Artan ka thënë se kishte marrë vizë përpara udhëtimit drejt SHBA-së.
Refuzimi i hyrjes i kushtoi atij mundësinë për të bërë histori si somalezi i parë që do të arbitronte në një Kampionat Botëror. Dhe historia e tij në fakt kishte nisur shumë më herët. I futur në listën ndërkombëtare të FIFA-s në vitin 2018, Artan ishte bërë arbitri i parë somalez që mori pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës, në vitin 2023.
Në vitin 2025, ai u bë i pari nga Somalia që drejtoi një finale të Ligës së Kampionëve të CAF-it, ndërsa po atë vit u shpall edhe Arbitri Afrikan i Vitit . Pas deportimit nga SHBA-ja, Artan u kthye në Mogadishu, ku u prit si hero. Pavarësisht zhgënjimit, ai u bëri thirrje bashkëkombësve të tij të mos dorëzoheshin. “Mos ndaloni së ëndërruari”, ishte mesazhi i tij.
Vetëm disa ditë më vonë, një tjetër mundësi historike trokiti në derë. UEFA e emëroi Artanin për të drejtuar Superkupën e UEFA-s, ndeshjen prestigjioze mes fituesit të Ligës së Kampionëve dhe atij të Ligës së Evropës. Me këtë emërim, ai u bë arbitri i parë jo-evropian në historinë e Superkupës së UEFA-s . “Për mua dhe familjen time ishte një moment shumë, shumë i lumtur”, ka rrëfyer Artan.
Ai do ta drejtojë ndeshjen në Salzburg, ndërsa në ekipin e tij të arbitrimit do të jenë edhe zyrtarë të tjerë nga Afrika Lindore. Për Artanin, ëndrra e Botërorit nuk ka përfunduar. Mundësia e radhës mund të vijë në vitin 2030, kur turneu do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok. Deri atëherë, ai vazhdon të shkruajë histori.
“Besoj se nëse mund të kem sukses unë, atëherë mundet secili. Mund të bësh gjithçka që dëshiron. Mos ndalo kurrë së ëndërruari”, ka thënë arbitri somalez. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!