Pa Sinnerin

0%

Nuk do të ketë “Sinsinati Open” për Janik Sinerin. Lajmin e kanë bërë të ditur vetë organizatorët e turneut amerikan, duke i dhënë fund dyshimeve të ditëve të fundit. Spektri i një problemi serioz fizik, me sa duket, po bëhet gjithnjë e më shumë realitet për tenistin nga Alto Adixhe. Numri një në botë po i mban të gjithë tifozët e tij në ankth.

Ajo që shqetëson fansat dhe të apasionuarit janë gjendja e gjurit të djathtë të tenistit italian, i cili i është nënshtruar kontrolleve fillimisht në Milano, te mjeku i tij i besuar, dhe më pas në JMedical. Në këtë qendër mjekësore, Sineri do të vazhdojë të shkojë të paktën gjatë një pjese të javës së ardhshme.

Janiku do t’i nënshtrohet një terapie me valë goditëse, me qëllim reduktimin, ose më mirë eliminimin e plotë, të shqetësimit që e ka mbajtur në ankth prej kohësh. Pra, Sineri nuk do të marrë pjesë në Masters 1000 të Sinsinatit, turneun që ai dhe skuadra e tij e kishin identifikuar si përgatitjen ideale për objektivin e vërtetë të muajit të ardhshëm, “US Open”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pasi hoqi dorë nga ëndrra për të fituar të gjithë turnetë Masters 1000 të sezonit, me tërheqjen nga Montreali, mungesa edhe në Sinsinati nuk do të jetë një problem për Sinerin. Sigurisht, kjo do të thotë se Sineri do ta bëjë debutimin e tij në Nju-Jork më shumë se një muaj pas ndeshjes së fundit, finales së fituar në Uimbëlldon, e cila u luajt në një sipërfaqe tjetër.

Megjithatë, pikërisht Kampionati i Uimbëlldonit tregoi se Janikut nuk i nevojitet domosdoshmërisht një periudhë kaq e gjatë përshtatjeje. Edhe në atë rast, italiani nuk kishte luajtur asnjë ndeshje në fushat me bar përpara se të triumfonte për të dytin vit radhazi në All England Club.

Sineri tashmë është i sigurt për aftësitë e tij dhe ka mësuar ta njohë mirë trupin e vet, më mirë të marrë më shumë kohë për t’u rikuperuar sesa të zbresë në fushë pa pasur sigurinë se është në gjendje të mirë fizike. Për më tepër, tërheqja nga turneu amerikan i Masters 1000 do t’i mundësojë Janikut të festojë 25-vjetorin e lindjes, më 16 gusht, në shtëpi.

Një mundësi shumë e rrallë në të shkuarën e afërt dhe në të ardhmen e afërt.

Burimi: Bota Sot