Real Madridi ka marrë një vendim të rëndësishëm për pjesën e mbetur të merkatos së verës. Sipas raportimeve të Sport, klubi madrilen nuk planifikon të bëjë më përforcime, përveç rastit kur në treg shfaqet një mundësi e jashtëzakonshme.
Prioriteti i drejtuesve të klubit në këto tri javët e fundit të merkatos është të reduktojnë numrin e lojtarëve në skuadër dhe të krijojnë hapësirë për sezonin e ri. Në listën e lojtarëve që mund të largohen janë Raul Asencio, Eduardo Camavinga dhe Ferland Mendy.
Situata e Camavingas është veçanërisht interesante, pasi mesfushori francez nuk dëshiron të largohet nga Santiago Bernabeu, por drejtuesit po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së tij nëse mbërrin një ofertë e rëndësishme. Ndërkohë, edhe Asencio dhe Mendy janë në mesin e lojtarëve që mund të largohen gjatë javëve të fundit të afatit kalimtar veror.
