Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A4 është ndalur në mënyrë të kontrolluar gjatë natës, pas evidentimit të disa parregullsive teknike. Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia është ndalur rreth mesnatës, si masë parandaluese dhe në përputhje me kërkesat e sigurisë teknike.
Ndalja është bërë me qëllim që ekipet profesionale të kenë mundësi të kryejnë kontrollet dhe ndërhyrjet e nevojshme në pajisjet e njësisë. “Ekipet profesionale janë angazhuar menjëherë në vlerësimin e gjendjes teknike, identifikimin e shkakut dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për eliminimin e problemit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Sipas KEK-ut, pas përfundimit të kontrolleve dhe ndërhyrjeve teknike, si dhe konfirmimit të kushteve të sigurta për operim, Njësia A4 pritet të rikthehet në punë. KEK-u nuk ka dhënë një afat të saktë se kur pritet të përfundojnë ndërhyrjet dhe njësia të rikthehet në funksion. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
