Tërmeti në Kolumbi, MEPJ: S’ka shqiptarë mes viktimave

0%

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë (MEPJ) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit të fuqishëm që goditi Kolumbinë më 10 gusht, duke konfirmuar se deri më tani nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur.

Përmes një njoftimi, MEPJ ka bërë të ditur se po e ndjek në vazhdimësi situatën përmes Ambasadës së Shqipërisë në Brazil, e cila mbulon edhe Kolumbinë. Autoritetet shqiptare vijojnë kontaktet me institucionet kolumbiane për të verifikuar gjendjen e shtetasve shqiptarë që ndodhen në vend.

Sipas të dhënave të fundit, tërmeti me magnitudë 7.4, me epiqendër pranë San José del Palmar, në perëndim të Kolumbisë, ka shkaktuar të paktën 254 viktima dhe mbi 570 të plagosur. Ndërkohë, rreth 3,800 persona rezultojnë të humbur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shërbimi Gjeologjik Kolumbian e ka cilësuar lëkundjen si një nga tërmetet më të fuqishme të regjistruara në vend gjatë shekullit XXI. MEPJ ka bërë të ditur gjithashtu se, bazuar në informacionet e deritanishme, nuk janë raportuar dëmtime në institucionet penitenciare ku ndodhen shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Kolumbi apo që janë në pritje të procedurave të ekstradimit.

“Deri në këto momente, nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur si pasojë e tërmetit”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Autoritetet shqiptare dhe Ambasada e Shqipërisë në Brazil do të vijojnë komunikimin me palën kolumbiane dhe verifikimin e situatës.

Shtetasit shqiptarë në Kolumbi që kanë nevojë për asistencë konsullore si pasojë e tërmetit mund të kontaktojnë numrin e emergjencës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com