Planifikohet shtimi i semaforëve në disa udhëkryqe në kryeqytet

0%

Prishtina po planifikon vendosjen e semaforëve edhe në disa udhëkryqe të tjera, me synim lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e disiplinës në trafik. Komuna thotë se ndërhyrjet janë pjesë e projektit të mobilitetit për vitin 2026. Ekspertët, ndërkaq, kërkojnë analiza dhe auditim të secilit udhëkryq para vendosjes së semaforëve.

Si semaforët e rinj në rrugën “Agim Ramadani”, kryeqyteti planifikon shtimin semaforëve edhe në udhëkryqe të tjera. Sipas Komunës së Prishtinës, këto ndërhyrje synojnë lehtësimin e qarkullimit dhe krijimin e rendit e disiplinës në trafik.

“Së fundmi kemi edhe projektin e vendosjes së semaforëve në dy udhëkryqe të rëndësishme, të cilat do të lidhin rrugën “Bajram Kelmendi”, pastaj edhe “Rrustem Statovci”, rrugën “Qamil Hoxha” me rrugën “Agim Ramadani”. Mendojmë se këto ndryshime do ta lehtësojnë trafikun në kryeqytet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Semaforët, në përgjithësi, krijojnë rend dhe disiplinë”, tha Pëllumb Bajqinovci, drejtor i Mobilitetit në Prishtinë. Ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se vendosja e semaforëve nuk duhet të bëhet pa një analizë paraprake të secilit udhëkryq. Sipas tyre, përveç nevojës për vendosjen e tyre, rëndësi të veçantë ka edhe sinkronizimi i tyre për të siguruar qarkullim më efikas.

“Nuk mund të vendosim semaforë vetëm se është një kryqëzim, vetëm se po vendoset një semafor që të rregullohet komunikacioni”, tha Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit. Sipas ekspertëve, para vendosjes së semaforëve duhet të bëhet edhe auditimi i udhëkryqeve, për të përcaktuar nëse një ndërhyrje e tillë është e nevojshme dhe nëse do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit.

“Është e domosdoshme që t’i bëhet një auditim i kryqëzimeve të rrugës, të cilat rregullohen me semaforë”, tha Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit. Nga Komuna e Prishtinës bëjnë të ditur se, në kuadër të projektit të mobilitetit për vitin 2026, është planifikuar edhe shtimi i semaforëve në udhëkryqin te Qafa.

Burimi: Bota Sot