Përfaqësuesit e Vinicius Junior kanë kontaktuar Arsenalin me një mesazh personal, përpara vendimit të brazilianit për të mos iu bashkuar klubit anglez. Në atë që do të ishte padyshim transferimi më i madh i kësaj vere, ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, ishte lidhur fuqishëm me një lëvizje spektakolare drejt Arsenalit.
Në mes të vështirësive në negociatat për rinovimin e kontratës së brazilianit në “Bernabéu”, u raportua se Viniciusi po shqyrtonte mundësinë e transferimit në Premierligë.
Një bonus kontrovers për rinovimin besohej se ishte pika kryesore e mosmarrëveshjeve mes Viniciusit dhe Real Madridit, pasi drejtuesit e klubit kishin frikë se një marrëveshje e tillë mund të krijonte probleme edhe me pjesën tjetër të skuadrës.
Megjithatë, një zhvillim i rëndësishëm në negociata çoi përfundimisht në njoftimin e Real Madridit se kishte arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës së yllit brazilian me gjashtë vite të tjera, deri në qershor të vitit 2032.
Edhe pse Arsenali e ka kompensuar më pas këtë refuzim me transferimin e Bruno Guimaraes nga Newcastle United, vendimi i Viniciusit e ka lënë klubin londinez pa një sulmues të madh për ta shtuar në skuadër këtë verë. Dhe për tifozët e Arsenalit, lajmi bëhet edhe më zhgënjyes pasi, sipas “The Athletic”, Vinicius ishte “vërtet i tërhequr” nga mundësia e transferimit në Londër.
Në atë pikë, gjithçka që mbetej ishte miratimi përfundimtar nga përfaqësuesit e tij, pasi të gjitha nivelet drejtuese të Arsenalit kishin dhënë dritën jeshile për transferimin rekord të klubit.
Por në vend të këtij miratimi, mesazhi që përfaqësuesit e Vinicius dërguan të mërkurën shprehte mirënjohje për mënyrën se si Arsenali ishte sjellë gjatë gjithë sagës së transferimit, por konfirmonte se braziliani do të firmoste një kontratë të re me Real Madridin.
Në mesazh thuhej gjithashtu se Viniciusi kishte marrë vendimin për shkak të “afeksionit” që kishte për Madridin, ndërsa “përpjekja e madhe financiare” e bërë nga gjigantët spanjollë për ta mbajtur në skuadër kishte ndikuar përfundimisht në vendimin e tij.
Ky vendim shkaktoi natyrshëm zhgënjim në Emirates, veçanërisht pas “muajsh pune në prapaskenë” dhe bisedimeve të nivelit të lartë që ishin zhvilluar për të krijuar bazën e një marrëveshjeje. Megjithatë, Arsenali e pranoi vendimin dhe madje e konsideroi faktin që një transferim i tillë ishte marrë në konsideratë si dëshmi se sa shumë kishte përparuar klubi në vitet e fundit.
Pas lajmit për vendimin e Viniciusit, është raportuar se Arsenali po shqyrton mundësinë për të lëvizur shpejt për një tjetër sulmues elitar këtë verë: yllin e Paris Saint-Germain, Bradley Barcola. Francezi është lidhur fuqishëm me një transferim te Liverpooli këtë verë, por është raportuar se Arsenali beson se mund ta bindë atë të heqë dorë nga Liverpooli dhe të transferohet në Londër.
Madje, ish-sulmuesi i Arsenalit, Perry Groves, ka pretenduar se pikërisht dëshira e Barcolas për të jetuar në Londër ka bërë që burimet e tij të besojnë se një transferim tek Arsenali mund të jetë i mundur. “Kam një burim që thotë se ai dëshiron të jetojë në Londër”, deklaroi Groves për “talkSPORT”. “Ja ku e keni. Nuk mund t’ju them… nuk mund t’i zbuloj burimet e mia. Kam një burim.
Kam një informator. Lajm i fundit – Barcola dëshiron të jetojë në Londër”, shtoi ai. Nëse Barcola do t’i bashkohej Arsenalit, kjo do të ishte një goditje e rëndë për Liverpoolin, i cili ka nevojë urgjente për përforcime në sulm pas largimit të Mohamed utSalah në fund të sezonit të kaluar.
