Mohsen Rezaee, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara ta ndryshojnë sjelljen e tyre dhe t’i pranojnë kushtet e Teheranit. Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane “Tasnim”, Rezaee i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi me ambasadorin e Kinës.
“Ngushtica e Hormuzit nuk do të jetë e hapur derisa Shtetet e Bashkuara ta ndryshojnë sjelljen e tyre dhe t’i pranojnë kushtet e Iranit”, ka thënë ai. Rezaee e ka akuzuar Uashingtonin se është “burimi i pasigurisë” në Gjirin Persik, Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Omanit, duke thënë se SHBA-ja ka imponuar “një luftë ilegale” që, sipas tij, ka vënë në rrezik të gjithë rajonin.
Ai ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund luftës, të zhbllokojnë fondet iraniane dhe të kontribuojnë në përfundimin e konflikteve në rajon, përfshirë ato në Liban dhe Gaza. Zyrtari iranian ka shtuar se çdo marrëveshje mes Iranit dhe Omanit për një korridor detar përmes Ngushticës së Hormuzit do të trajtohej veçmas nga çështja e mbylljes së saj.
Gjatë takimit, Rezaee ka folur edhe për marrëdhëniet me Kinën, duke i cilësuar ato si një “marrëveshje strategjike” dhe duke theksuar anëtarësimin e të dyja vendeve në Organizatën e Shangait për Bashkëpunim dhe BRICS. Ai ka mirëpritur gjithashtu vendimin e Kinës për të mos mbështetur një rezolutë që Teherani e ka cilësuar si “anti-iraniane dhe ilegale” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
