Një letër e vogël, një çantë që dukej se përmbante bombë dhe një kërkesë prej 200 mijë dollarësh. Kaq mjaftoi që një fluturim i zakonshëm të shndërrohej në një prej mistereve më të mëdha kriminale në historinë e Shteteve të Bashkuara. Burri që ia dorëzoi letrën stjuardeses dukej i qetë. Nuk bërtiti, nuk krijoi panik dhe nuk u përpoq të tërhiqte vëmendjen e pasagjerëve.
Por mesazhi që ajo mbante në duar ishte krejt tjetër. Sipas FBI-së, në letër ai tregonte se kishte një bombë në çantën e tij dhe kërkonte që stjuardesa të ulej pranë tij. Kur ajo u kthye, ai hapi çantën dhe i tregoi tela dhe objekte të kuqe, duke e bindur se kërcënimi duhej marrë seriozisht. Pastaj erdhi lista e kërkesave. Katër parashuta dhe 200 mijë dollarë në kartëmonedha 20-dollarëshe.
Stjuardesa ia përcolli kërkesat kapitenit. Avioni vazhdoi drejt Seattle-it. Kur u ul, rrëmbyesi mori paratë dhe parashutat, ndërsa 36 pasagjerët u lanë të largoheshin . Në bord mbetën ai dhe disa anëtarë të ekuipazhit. Më pas avioni u ngrit përsëri, me urdhër për të fluturuar drejt Meksikës në një lartësi të ulët dhe me shpejtësi të reduktuar.
Dhe pikërisht këtu fillon pjesa më e pabesueshme e historisë. Diku mes Seattle-it dhe Reno-s, pak pas orës , burri hapi derën e pasme të avionit. Ai kishte me vete paratë e shpërblimit dhe parashutën. Pastaj u hodh në errësirën e natës. Pilotët arritën ta ulnin avionin në mënyrë të sigurt. Por pasagjeri që kishte marrë peng avionin ishte zhdukur. Pa gjurmë.
Burri kishte blerë biletën me emrin Dan Cooper . Emri “D.B. Cooper” u bë i njohur më vonë dhe, sipas FBI-së, lidhet me një ngatërrim të emrit në raportimet mediatike. Ajo që pasoi ishte një kërkim masiv. FBI-ja e hetoi rastin për dekada, duke ndjekur qindra pista dhe duke marrë në pyetje persona të shumtë.
Por asnjëherë nuk u gjet prova përfundimtare që do të tregonte se kush ishte në të vërtetë Cooper-i ose çfarë ndodhi me të pas kërcimit. Madje, vite më vonë, u shfaq një nga të paktat gjurmë fizike të lidhura me rastin. Në vitin 1980 , një djalë gjeti pranë lumit Columbia një paketë me 5,800 dollarë .
Numrat serialë të kartëmonedhave përputheshin me një pjesë të parave të shpërblimit që Cooper kishte marrë. Por paratë nuk sollën përgjigjen. Përkundrazi, ato shtuan edhe më shumë pyetje. A kishte vdekur Cooper gjatë kërcimit? A kishte arritur të mbijetonte? Nëse kishte shpëtuar, si arriti të zhdukej pa lënë gjurmë?
FBI-ja e mbylli hetimin aktiv në vitin 2016 , duke i ridrejtuar burimet drejt prioriteteve të tjera hetimore. Megjithatë, fati i Cooper-it mbeti i pazgjidhur. Sot, më shumë se pesë dekada pas asaj nate, historia ende ka një fund që mungon. Një burrë hyri në një avion me një emër të rremë. Dërgoi një letër që paralajmëronte për një bombë. Mori 200 mijë dollarë dhe katër parashuta.
U hodh nga një Boeing 727 në mes të natës. Dhe pastaj… u zhduk.
