Ish-presidenti sirian Bashar al-Assad është dënuar me vdekje në mungesë nga një gjykatë në Damask, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës 14-vjeçare në Siri. Gjykata e Katërt Penale në Damask e shpalli fajtor al-Assadin për urdhërimin e vrasjes së civilëve, përfshirë fëmijë, si dhe për tortura dhe ndalime të paligjshme.
Sipas gjyqtarit, dëshmitë e mbledhura gjatë procesit treguan se Bashar al-Assad kishte autoritetin përfundimtar mbi këto krime dhe se kishte përdorur institucionet e shtetit sirian për zbatimin e tyre. Me të njëjtin vendim u dënua me vdekje edhe vëllai i tij, Maher al-Assad, i cili po ashtu u gjykua në mungesë.
Në të njëjtin rast u dënua me vdekje edhe kushëriri i tyre, Atef Najib, ish-gjeneral i ushtrisë siriane dhe ish-shef i Degës së Sigurisë Politike në provincën e Daraas. Ndryshe nga dy vëllezërit al-Assad, Najib ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Ai qëndroi në një kafaz, i veshur me uniformë burgu, ndërsa gjyqtari lexoi vendimin.
Najib u shpall fajtor për rolin e tij në shtypjen e protestave në Daraa në vitin 2011, ngjarje që shënuan fillimin e kryengritjes kundër regjimit të Assadit dhe më pas të luftës civile. Ai u dënua për një sërë veprash, përfshirë vrasje, vrasjen e qëllimshme të fëmijëve nën moshën 15-vjeçare dhe tortura që rezultuan me vdekje.
Akuzat ndaj regjimit të Assadit Regjimi i Bashar al-Assadit është akuzuar për një numër të madh krimesh gjatë konfliktit sirian, i cili për 14 vjet la rreth gjysmë milioni persona të vrarë dhe miliona të tjerë të zhvendosur ose të larguar nga vendi.
Ndër rastet më të rënda përmendet sulmi me gaz sarin në Ghouta, pranë Damaskut, në gusht të vitit 2013, ku u vranë rreth 1,400 persona, sipas vlerësimeve amerikane. Përdorimi i sarinit në këtë sulm është konfirmuar edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike. Regjimit i atribuohet gjithashtu përdorimi masiv i bombave fuçi në zona të banuara.
Një tjetër dëshmi e rëndë janë fotografitë e njohura si “Caesar”, rreth 55 mijë imazhe që dokumentojnë trupat e afërsisht 11 mijë të burgosurve, të cilët dyshohet se vdiqën nga torturat, uria ose ekzekutimet në qendrat e paraburgimit të regjimit.
Organizata Amnesty International ka dokumentuar gjithashtu ekzekutime masive në burgun ushtarak Saydnaya, pranë Damaskut, duke e përshkruar atë si një vend të krimeve sistematike. Bashar dhe Maher al-Assad ndodhen në Rusi Bashar dhe Maher al-Assad u larguan nga Siria pas rënies së regjimit në dhjetor të vitit 2024 dhe ndodhen në Rusi.
Moska ishte një prej mbështetësve kryesorë të Assadit gjatë luftës, duke i ofruar regjimit mbështetje ushtarake dhe diplomatike. Edhe Irani ishte një aleat i rëndësishëm i Assadit, ndërsa grupi Hezbollah dërgoi mijëra luftëtarë në Siri për të mbështetur forcat qeveritare.
Pikërisht për shkak se Bashar dhe Maher al-Assad ndodhen jashtë Sirisë, vendimi i gjykatës pritet të ketë pasoja praktike kryesisht për Atef Najib, i cili është në paraburgim sirian.
Ekspertja e Soufan Center, Caroline Rose, ka vlerësuar se dënimi për dy vëllezërit al-Assad mund të mbetet vetëm në nivel juridik, pasi Rusia, ku ata ndodhen, me shumë gjasë nuk do t’ua dorëzojë autoriteteve siriane. Vendimi i gjykatës siriane shënon një prej hapave më të rëndësishëm të drejtësisë brenda vendit ndaj figurave të larta të ish-regjimit të Assadit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
