Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se, nga viti i ardhshëm, në aeroport mund të pini ujë falas. “Kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike” thotë Pacolli. Vendimi u mor pas një takimi të përbashkët qeveritar me udhëheqës të aeroportit.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me operatorët ekonomikë është thelbësor për një aeroport më të gjelbër dhe më miqësor ndaj mjedisit ” shtoi ajo.
Ky është postimi i plotë i Pacollit: Sot, së bashku me zëvendësministrin Driton Hyseni, zhvilluam një takim me Gökhan Açıkgöz, drejtor në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe Levent Kaylak, Drejtor i Përgjithshëm Operacional, me të cilët diskutuam për çështjet mjedisore dhe mundësitë për përmirësimin e parametrave mjedisorë në dhe përreth aeroportit.
Një vëmendje të veçantë në këtë takim i kemi kushtuar zbatimit të direktivave dhe standardeve të Bashkimit Evropian për sigurimin e qasjes në ujë të pijshëm.
Në përputhje me këto direktiva, u ra dakord për krijimin e këndeve të dedikuara për të ofruar qasje në ujë të pijes papagesë që rrjedh nga kroi, një shërbim thelbësor që do të jetë i disponueshëm për të gjithë pasagjerët nga viti i ardhshëm.
Kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me operatorët ekonomikë është thelbësor për një aeroport më të gjelbër dhe më miqësor ndaj mjedisit.
