Ish futbollisti boshnjak ia ka frikën Granit Xhakës

0%

Ish – futbollisti boshnjako-zviceran, Selver Hoxhiq, ka vlerësuar se një nga momentet kyçe për ringritjen e përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës ishte largimi i një futbollisti nga ekipi, duke dërguar një mesazh të fortë për disiplinën brenda grupit. Në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, Hoxhiq foli për përballjen mes Zvicrës dhe Bosnjës, ndeshje që zhvillohet të enjten (21.00) në Los Angeles dhe që sipas tij mund të jetë vendimtare për të dyja kombëtaret. Ai vlerësoi se Zvicra duhej të kishte fituar bindshëm ndaj Katarit dhe se rezultati 1:1 ka krijuar presion të madh mbi skuadrën zvicerane. “Duhej të ishte 3:1 ose 4:1 që në pjesën e parë. Tani krenaria e Zvicrës është lënduar dhe ekipi është nën presion të madh para ndeshjes me Bosnjën. Kjo mund të jetë disavantazh për Bosnjën, sepse Zvicra është skuadër turnesh dhe futbollistë si Granit Xhaka japin maksimumin kur presioni është i madh” , tha ai. Megjithatë, Hoxhiq beson se Bosnja ende e ka situatën në kontroll dhe edhe një humbje eventuale ndaj Zvicrës nuk do të ishte fatale, pasi pret fitore ndaj Katarit, ashtu si edhe kundër Kanadasë. 47-vjeçari kujtoi periudhën e vështirë të Bosnjës pas humbjes së thellë 7:0 ndaj Gjermanisë në vitin 2024, kur shumëkush kishte humbur besimin. “Barbarezin e pyetën nëse do të largohej, por ai tha jo pa hezitim. Ishte plotësisht i bindur në rrugën e tij drejt Euro 2028 dhe unë e besova. E ndjeva se Bosnja kishte gjetur karakterin që i nevojitej ”, deklaroi ai. Sipas tij, një moment vendimtar ishte veprimi i drejtuesve të ekipit, përfshirë Emir Spahiq dhe trajnerin Sergej Barbarez, ndaj mbrojtësit Anel Ahmedhoxhiq. “Ata e akuzuan për mungesë patriotizmi dhe e larguan përgjithmonë nga kombëtarja. Lojtarët e tjerë e kuptuan mesazhin dhe panë se Spahiq e Barbarez nuk bëjnë kompromis kur është fjala për disiplinën”, u shpreh Hoxhiq.

Burimi: Bota Sot