Një shtetas serb është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Bërnjak, nën dyshimin se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë kufitarë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është trajtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri, pas pranimit të informatës për tentim të dhënies së ryshfetit.
Sipas Policisë, pas ndërmarrjes së veprimeve të menjëhershme, me udhëzim të prokurorit kompetent, i dyshuari dhe dy dëshmitarë janë intervistuar. Gjatë veprimeve policore, nga i dyshuari është sekuestruar përkohësisht një bankënotë, e cila dyshohet se ishte destinuar për t’u dhënë si ryshfet zyrtarëve policorë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “dhënie ryshfeti”.
