Qeveria e Maqedonisë së Veriut po forcon rrjetin e saj diplomatik në botë. Elma Altorok po përgatit tezat për emërimin e saj si ambasadore në Kajro, si kuadri i vetëm profesional i përzgjedhur nga qeveria në seancën e 26 majit. Ndërkohë, një prej diplomatëve të suksesshëm, Driton Kuçi, do të vazhdojë mandatin e tij në Oslo të Norvegjisë.
Ai veçse e ushtronte detyrën e ambasadorit në Oslo dhe ky do të jetë mandati i dytë për të. Sipas informacioneve, qeveria ka miratuar një pjesë të emrave të rinj për përfaqësimin diplomatik të vendit, ku spikasin dy diplomatët shqiptarë, Driton Kuçi dhe Elma Altorok. Për Kuçin, ky do të jetë vazhdimi i angazhimit në Norvegji, duke marrë mandatin e dytë si ambasador në këtë shtet.
Edhe Elma Altorok ka ushtruar detyrën diplomatike në Egjipt si ushtruese detyre ambasadore në shtetin 120 milionë banorësh të Egjiptit dhe ka gëzuar besimin e institucioneve tona për të vazhduar angazhimin e saj në këtë vend të Lindjes së Mesme.
Ajo pritet të emërohet ambasadore në Kajro, duke kaluar nga pozita e ushtrueses së detyrës në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin egjiptian. Aktualisht, Altorok po përgatitet për mbrojtjen e tezave para komisioneve përkatëse, si pjesë e procedurës së emërimit. Ky do të jetë mandati i tretë diplomatik i Elma Altorokut në vendet e Lindjes së Mesme.
Ajo është përzgjedhur si kuadër profesional për postin e ambasadores në Kajro. Përveç Kuçit dhe Altorokut, Qeveria ka miratuar edhe disa emra të tjerë për misionet diplomatike jashtë vendit. Sipas informacioneve, Filip Pashu është përzgjedhur për ambasador në Athinë, Tatjana Loparski për në Budapest, ndërsa avokati Jasmin Kalaç për në Sarajevë.
Ndërkohë, në pritje të përfundimit të procedurave parlamentare mbeten edhe emërimet e Krum Efremovit për ambasador në Bullgari, Gabriel Atanasovit në Rumani, Muharem Jusufit në Suedi dhe Katerina Todorovskës në Kosovë./Alsat
